Rreth 83 mijë fermerë do të përfitojnë nga vendimi i qeverisë për lehtësimin e barrës fiskale nga 1 janari i viti 2021. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj deklaroi sot se vendimi për të lehtësuar barrën fiskale do ta ndihmojë fermerin që t’ja dalë edhe në kohë pandemie. “83 mijë fermerë do të përfitojnë nga heqja e akcizës së naftës. Nëse do të ketë një numër më të lartë të fermerëve që do të kërkojnë të jenë përfitues duhet të jemi të lumtur se kjo do të çojë në formalizim të ekonomisë, rritje të sipërfaqes së punuar. Ndërkohë ne do të subvencionojmë pjesën që i takon fermerit në koston e karburantit, akcizës dhe taksës së qarkullimit”, deklaroi ministrja.

Lehtësimi nga barra fiskale i naftës së përdorur për fermerët pritet të ketë ndikim direkt në rritjen e aktivitetit bujqësor, konkurrueshmërinë e produkteve dhe eksporteve bujqësore, ashtu si dhe përdorimin e më tepër mjeteve për punimin e tokës. Nga 1 janari i 2021-it fermeri e përfiton naftën me 50% të vlerës ose 80.4 lekë më pak. Sot një fermer paguan 160 lekë për një litër naftë. Brenda këtij çmimi përfshihen akciza 44.4 lekë për litër, taksa e qarkullimit 32.4 lekë për litër dhe taksa e karbonit 3.4 lekë për litër.

Nga 1 janari fermeri do të paguajë një litër naftë vetëm 79.6 lekë për litër, ndërsa i hiqet barra fiskale prej 80.4 lekë për litër. Efekti në buxhet si rezultat i kësaj nisme të qeverisë llogaritet 1 miliard lekë.