Me porosi të Lëvizjes Socialiste për Integrim, disa qytetarë janë drejtuar pasditen e sotme në Landfillin e Sharrës në Tiranë, duke “protestuar” për shpronësimet. Por grumbullimi i tyre para landfillit është krejtësisht për qëllime politike, pasi nuk është koncesionari që shpronëson tokat, por ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës. Nëse shqetësimi i tyre do të ishte real, ata duhej të ishin grumbulluar para zyrës së Belinda Ballukut.
Njëri nga denoncuesit shkoi edhe më tej, teksa tha se kishte numëruar pemët e mbjella dhe nuk i rezultojnë të jenë 2400. “Thonë kemi mbjellë 2400 pemë. Ku i kanë mbjellë 2400 rrënjë pemë këta, se pemët kanë qenë tonat. 200 rrënjë ullishte i kam pas unë, 200 rrënjë xhaja, 150 i ka pas një banor tjetër, ku janë pemët. Pemët tona numërojnë këta”, deklaroi denoncuesi.
Për të parë se sa serioze është kauza e tyre, mjafton të shihni pamjet pas të riut që flet për mediat. Duke ditur se janë live në televizion, aktorët e LSI qeshin dhe flasin në telefon. Prej disa ditësh, opozita ka nisur një sulm të paprecedentë ndaj inceneratorëve. E gjithë makineria opozitare është investuar kundër këtij investimi modern që i dha fund një herë e mirë problemit të trajtimit të mbetjeve në Shqipëri.
Kujtojmë se në kohën që Lulzim Basha ishte kryebashkiak i Tiranës, ai kontraktoi pikërisht një kompani, që kishte lidhje me kunatin e tij, Erjon Isufin, për përpunimin dhe riciklimin e mbetjeve, duke krijuar një monopol në Sharrë. Sipas një projekti të hartuar nga vetë ai kur ishte kryebashkiak, mbetjet do të trajtoheshin për 37 euro/ton, 30% më shtrenjtë se sot. Gazeta Shqip/