Alpet shqiptare, nga më të bukurat në botë dhe me një natyrë të mahnitshme, gjithnjë e më shumë po frekuentohen nga turistë vendas e të huaj në 365 ditë të vitit. Malet dhe alpet e vendit tonë kanë një pasuri e potencial të jashtëzakonshëm për zhvillimin e turizmit.Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, tha sot se “alpet shqiptare janë bërë të vizitueshme në  365 ditë të vitit. Kjo falë rikualifikimit urban të qendrave të fshatrave. Në fillim ishte Valbona, më pas u vazhdua me Razmën e Tamarën. Para dy javësh përfundoi edhe qendra e Vermoshit. Tashmë, i ka ardhur radha Parkut Kombëtar Theth dhe Bogës”.

“Janë 3,5 milionë USD investime. Të gjitha këto mrekulli të natyrës shqiptare kanë tashmë edhe dinjitetin e rikualifikimit urban si qendra të fshatrave. Përfundimi i rindërtimit të rrugëve i ka bërë të vizitueshme në çdo stinë të vitit”, – tha Klosi. Alpet shqiptare shtrihen në veri të lumit Drin dhe në perëndim të rrjedhjes së poshtme të lumit Valbona (degë e Drinit). Ato përfshijnë pjesën veriore të vendit dhe zënë rreth 8% të tij; kanë pozitë gjeografike tepër të izoluar, sepse rrugët që i lidhin ato me rajonet e tjera të vendit dhe trevat shqiptare jashtë kufirit, janë të pakta dhe në gjendje të keqe.

Tek Alpet dallohen blloqet, malësitë, kurrizet malore dhe luginat: Blloku i Jezercës shtrihet në qendër të Alpeve dhe ka reliev më të lartë, më të ashpër dhe më të thepisur. Aty ndodhet maja e Jezercës 2694 m, më e larta në Alpe dhe e dyta në Shqipëri, pas majës së Korabit. Malësia e Madhe shtrihet në veriperëndim të Alpeve. Në përbërje të saj ka kurrize malore, blloqe e male të larta (Bjeshkët e Namuna me lartësi 2400 – 2500 m) si dhe disa pllaja të larta (Velecik – Bridashe) dhe disa lugina: e Vermoshit, e Cemit, e Përroit të Thatë etj.

Lugina e Shalës është ndër më të mëdhatë në Alpet shqiptare. Përgjatë saj ndërthuren zgjerimet, në të cilat janë vendosur qendrat e banuara (Thethi, Bregu i Lumit etj.) me ngushtimet, që në disa raste marrin formën e kanioneve. Kurrizet malore midis luginës së Shalës e Valbonës, që ndahen nga lugina e Currajt, kanë reliev të ashpër me plot maja të ashpra dhe të thepisura dhe bimësi të dendur pyjore.

Lugina e Valbonës, një luginë tjetër e madhe e Alpeve, ka formën e një harku të madh. Përgjatë saj ndërthuren zgjerimet me ngushtimet, shpesh në formën e kanioneve. Në zgjerimet janë vendosur qendrat e banuara si: Rragami, Valbona, Dragobia etj. Parku Kombëtar i Valbonës shtrihet në 8,000 hektarë dhe kosiderohet si mrekullia e Alpeve shqiptare. Malësia e Gashit përmendet për relievin e ashpër me forma të shumta akullnajore, në të cilat ka liqene të vogla, por me bukuri të rrallë, pyje dhe kullota të pasura.

Parku Kombëtar i Thethit. Ndodhet në një distancë prej 70 km nga qyteti i Shkodrës në zemër të Alpeve shqiptare. Parku në fjalë ka një sipërfaqe prej 2630 hektarë dhe shtrihet në një lartësi që varion nga 600 – 2570 metra mbi nivelin e detit. Razma është një prej pikave turistike malore më të frekuentuara nga qyteti i Shkodrës. Zona është e rrethuar me pyje pishe dhe mënshtekne. Ajo nuk bllokohet nga dëbora ndaj mbetet e vizitueshme gjatë gjithë vitit. Këtu ofrohet akomodim, ndërsa aktivitetet kryesore janë sportet dimërore, ekskursionet, ngjitjet etj.