Kreu i grupit parlamentar i Partisë Socialiste, Taulant Balla ka inspektuar nga afër sot punimet në pritën e lumit Shkumbin në Shushicë të Elbasanit.
Janë 18 prita lumore të cilat garantojnë mbrojtjen e 100 hektarë tokë bujqësore dhe 150 hektarë pyje. Një investim i tillë nuk ishte parë për më shumë se 50 vite dhe prej shumë kohësh kërkohej nga banorët. Teksa inspektoi vijimin e punimeve, Balla kërkoi nga bashkia të bëhet gati projekti dhe një investim i tillë të kryhet edhe në zonën e Labinotit Fushë.
“Ky është një investim shumë i madh. Për ne ka qenë një angazhim i përhershëm për ta mbrojtur këtë zonë nga lumi Shkumin, jo vetëm tokën bujqësore, por edhe pyjet. Këtu askush nuk investonte sepse investimi rrezikohej. Qëllimi është ta vazhdojnë këtë punë përgjatë gjithë pjesës së poshtme të Shkumbinit. Kemi edhe një kërkesë nga banorët e Labinotit, edhe aty nevojitet ndërhyrje. Me këto investime përfitojmë, jo vetëm sipërfaqe toke, por edhe vende pune e zhvillim. Shkumbini mbetet një lumë i paparashikueshëm” deklaroi Balla.