9 miliardë Euro investime do të bëjë Bashkimi Europian në vendet e Ballkanit Perëndimor. Shuma u bë publike nga Komisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi, i cili prezantoi planin ekonomik për zhvillimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor gjatë dekadës së ardhshme.
Prioritet janë projektet që afrojnë edhe më shumë ekonomitë e vendeve të rajonit me njëra-tjetrën por edhe me unionin. Investimet do të përqëndrohen kryesisht në transport, energji, projektet në mbrojtje të ambientit e ato dixhitale që synojnë krijimin e vendeve të reja të punës dhe zhvillimin ekonomik afatgjatë.
Paketa po ashtu parashikon edhe fonde ndihmë për rajonin për kapërcimin e krizës së pandemisë së COVID-19. Ndër synimet e këtij plani është edhe ndihma për vendet e Ballkanit Perëndimor në kapërcimin e problemeve të trashëguara nga e kaluara, ku përmendet normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe përfundimi me sukses të dialogut me ndihmën e BE-së.
Paketa po ashtu parashikon veç granteve të ofruara nga Bashkimi Evropian, edhe ndihma në uljen e kostove për investime publike dhe private për zvogëlimin në këtë mënyrë të rreziqeve për investitorët.