Regjisori Robert Budina është një nga kandidatët që do të votohen nga anëtarësia e Partisë Demokratike në degën 9 të Tiranës, për përzgjedhjen që do të bëhet për kandidatët për deputetë të kësaj partie në zgjedhjet e 25 prillit. Budina është i njohur edhe për erezistencën që bëri për të mbrojtur Teatrin Kombëtar nga prishja, megjithëse përpjekjet ishin të kota pasi teatri u shemb.

Ditën e sotme regjisori nga sheshi i Teatrit akuzoi kryeministrin Rama se po i ndan lekët e buxhetit të shtetit me njerëzit e tij, ndërsa thotë se kjo e keqe që na ka zënë fytin duhet të zhduket.“Beteja jonë më e madhe nuk ngelet vetëm te Teatri Kombëtar, por duam të kalojmë më tej, te kultura dhge zhdukja e trashëgimisë që po ndodh në Tiranë. Kemi paditur në SPAK me 6 kallëzime për atë çfarë ndodhi te Teatri Kombëtar. Ne nuk jemi dorëzuar dhe nuk dorëzohemi kurrë, jo vetëm e çuam në organet e drejtësisë, e çuam edhe në Europë, dhe për këtë nuk kërkuam ndihmë nga asnjë parti politike. Sa herë të na shkelen të drejtat duhet të reagojmë që ta bëjmë ndryshimin e madh që e kemi pritur prej kaq shumë kohësh. Kjo është një puna jonë e përbashkët që ta zhdukim të keqen që na ka zënë fytin. Duhet t’i japim mundësi biznesit të mesëm që të mos jenë të varur nga pushteti. Sot politika bën gjithcka, aq sa të detyron të bësh një listë me 30 emra e të shkosh të votosh atje. Pse kjo është demokracia për të cilën luftuam në vitin 1990? Ky kryeministër tregohet servil me të huajt dhe i ashpër me të vetët. Në këtë periudhë kur në parlament mungon opozita e vërtetë, po ndryshohen ligje skandaloze që do e dëmtojnë Shqipërinë për 50 vitet e ardhshme”, tha Budina ndër të tjera.