Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, është optimist dhe imagjinon se ndeshjet e Euro 2020, i shtyrë për në 2021-shin, do të luhen me praninë e tifozëve në stadiume dhe në të gjithë Europën.

“Për momentin, po planifikojmë turneun ashtu siç e duam”, ka thënë Ceferin për Sportschau.de, duke iu përgjigjur pyetjes në lidhje me praninë e tifozëve në impiantet sportive në 12 vendet që do të presin Europianin e futbollit nga 11 qershori më 11 korrik.

“Nëse do të kishit pyetur në shkurt nëse do të isha gati të përballoja një pandemi që bllokon të gjithë botën, do ju kisha marrë për një të çmendur, – ka thënë Ceferin, – por tani jemi shumë të përgatitur, jemi më të zgjuar dhe më të fortë, sepse e dimë se gjithçka mund të ndodhë”. “Po mendojmë për zgjidhje pa tifozë, ose me 30%, 50%, 70% (përqindje të mbushjes së stadiumeve)”, ka shtuar presidenti i UEFA-s.

Megjithatë, ideja e këtij Europiani në shumë vende të Europës, e vlerësuar nga Platini, nuk e entuziazmon pasardhësin e francezit: “Në aspektin simbolik është një gjë shumë e bukur, por për ne nuk është. Nuk është e lehtë, pavarësisht nga pandemia. Nuk jemi shumë të kënaqur. Është një sfidë e madhe, por jam i sigurt se kampionati do të zhvillohet vitin e ardhshëm”.

Në fund, Ceferin është shprehur i kënaqur për funksionimin e protokolleve anti-Covid: “Kemi organizuar 420 ndeshje ndërkombëtare nga gushti, pa regjistruar asnjë incident serioz”.