Zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale Mira Rakacolli foli për pandeminë e Covid-19 dhe masat që ka marrë Shqipëria për të përballuar fluksin në rritje të qytetarëve të prekur me Covid-19. Ajo tha se janë marrë të gjitha masat, ndërkohë theksoi se po bëhet gjithçka për të evituar një rimbyllje të dytë, e cila siç është shprehur edhe vetë kryeministri Rama do të ishte katastrofike për ekonominë. Zonja Rakacolli shtoi se janë shumë elementë, të cilët detyrojnë autoritetet shëndetësore të marrin vendime për një mbyllje tjetër, siç janë raste reja, numri i të shtruarave dhe rritja e numrit të viktimave.
“Do jenë shumë faktorë. Nuk do të kemi një tregues të vetëm. Do të shikojmë rastet, shtrimet, dhe humbjet e jetës. Do jetë ndërthurje e këtyre faktorëve, që unë shpresoj që mos të ndodhë. Mbyllja varet nga shumë faktorë”, tha ajo. E pyetur për kapacitet spitalore për të trajtuar pacientët e prekur me coronavirus, znj. Rakacolli theksoi se ka rezerva të konsiderueshme. Sipas saj, në katër spitalet Covid janë mbi 500 shtretër, ndërkohë shtoi se janë të mjaftueshme për të përballur fluksin e të infektuarve.
“Nuk janë ezauruar. Të dy spitalet covid kanë akoma kapacitetet që të mbushen. Gjatë kohës së “Lockdown” (mbylljes) u bë përgatitja për të përballuar numër të shtuar. Është përgatitur spitali Covid 3 dhe 4, me infrastrukturën dhe me personel mjekësor të trajnuar. E them me shumë përgjegjësi këtë. Të katër spitalet kanë 550 shtretër, nuk janë ezuaruar as 50 %.Spitalit “Shefet Ndroqi” është kthyer ne covid, sëmundje të tjera pulomonare po trajtohen në QSUT, në një repart të dedikuar për këtë punë. Në fillim nuk kishim këto kapacitete, në fillim s’kishim shtretër. Janë shtuar kapacitet, janë shtuar respiratorët dhe ventilatorët dhe janë bërë trajtimet e personelit mjekësor”, tha ajo.