Qeveria daneze njoftoi sot ndalimin e shitjes së pijeve alkoolike gjatë natës dhe reduktoi më tej kufirin për tubimet publike, me qëllim frenimin e rritjes së ndjeshme të rasteve të COVID-19. “COVID-19 nuk ka mbaruar, përkundrazi, ai është sërish i fuqishëm”, tha kryeministrja Mette Frederiksen.
“Shitja e alkoolit, nga e hëna, do të ndalohet pas orës 22:00, në përputhje me orët e mbylljes të vendosura më parë për restorantet e baret dhe kufiri aktual i 50 personave të lejuar për tubimet private dhe publike është ulur në 10”, shtoi ajo.
Masa do të jetë në fuqi deri më 2 janar. Frederiksen u bëri, gjithashtu, thirrje banorëve që të mos jenë në kontakt të ngushtë me më shumë se 10 persona të tjerë jashtë familjes së tyre, si pjesë e masave për të kufizuar transmetimin e virusit.