Në futbollin tonë, sidomos në kohën e diktaturës, mbledhjet kanë qënë pjesë e rëndësishme e lojës. Kishte një rregull të pashkruar: kur humbisje apo nuk flisje siç duhet në fushë, modoemos do të luaje për “fitore” në mbledhje. Në kohën e sotme, tamam në vitin 2020, është thyer rekordi i diktaturës : s’ka futboll prej javësh për shkak të bojkotit, dhe loja është spostuar vetëm nëpër mbledhje, ku Qeveria dhe Futbolli vazhdojnë “derbin”, madje betohen se është ndeshje e vërtetë, aspak e trukuar.

Sikur të kishte gojë topi i futbollit, do të kuptonim se bojkoti është alibia më groteske në ekonominë e klubeve të futbollit, të cilat pasi kanë humbur barrën e vajit nder vite për meritë të FSHF-së dhe pronarit të saj , po këmbadoren pas “kokrrës së ullirit”. Sikur t’i kemi zgjedhur me dorë qysh në maternitet, s’ka burrë futbolli që të bëjë pyetjen historike: çfarë është bërë me miliona eruo që ka sjellur UEFA dhe FIFA tërë këto vite, që pastaj të luajmë “finalen” me Qeverinë?

Edhe pse pas çdo mbledhje thuhet se ..po shfaqet drita në fund të tunelit të bojkotit, dhe përqindjet e kërkesave po lëvizin në favor të “çunave të futbollit”, si nuk doli një ekonomist nga shteti që t’i shpallte FSHF-së dhe kreut të saj sa miliona kanë llufitur nga Bashkitë.. të gjithë klubet e futbollit ne keto vite. Si nuk doli një koleksionues votash, nga ata që kanë katër sy në Asamble, që t’i thoshte presidentit Duka se po e shalon fronin e futbollit me votat e Bashkive. Si nuk doli një “spiun financash” që të shpallte shifrën e superkolme se sa miliona euro janë hedhur tek stadiumet e Elbasanit, Shkodrës e Tiranës bashkë (Kukësin nuk po e fusim)! I vetmi stadium ku Shteti u tregua “koprac”, ku fali vetëm tokën (shtepine e Dinamos) dhe s’dha asnjë kacidhe euro ..janë zyrat stërmadhe të Federatës.(Sfidanti.al)