Pak kohë më parë njoftimeve në media se kreu i PD kish blerë një vilë të re në kompleksin “Long Hill”, zyra e shtypit në PD iu përgjigj se: “Pas disa dëmeve të shkaktuara nga tërmeti, banesa e zotit Basha do të duhet t’i nënshtrohet disa punimeve të domosdoshme. Për këtë arsye zoti Basha dhe familja e tij janë zhvendosur përkohësisht në një banese me qira”.

Por një raport teknik nga Instituti i Ndërtimit është publikuar për rastin e pallatit të Lulzim Bashës, të cilit pasi iu publikuan fotot se ishte transferuar në një vilë në “Long Hill” tek Kodra e Diellit, PD tha se pallati ku jetonte Basha ishte dëmtuar nga tërmeti dhe se ishte zhvendosur në vilën me qira deri sa të riparohej, pretendim që u hodh poshtë nga Bashkia Tiranë. Në raportin e Institutit të Ndërtimit konstatohet se pallati nuk ka pësuar asnjë dëmtim nga tërmeti, përjashtuar disa dëmtime elementare të bojës.

E gjithë struktura e pallatit i është nënshtruar ekspertizës nga grupi i Institutit të Ndërtimit me inxhinier Agron Hysenlliu, Lindita Gjergji, Afrim Çenga, Gerti Çela Besjana Memoçi dhe Joana Kaçorri, por edhe disa specialistë të drejtorisë së Emergjencave Civile. Dokumenti më poshtë tregon se pallati ku Basha jeton në katin e fundit nuk është prekur nga tërmeti.

Aktualisht Lulzim Basha jeton në një vilë 2-katëshe në kompleksin luksoz “Long Hill” në Lundër, ku vilat dykatëshe kanë parkim, oborr dhe pishina. Kujtojmë se zona ku po jeton tani Basha, është cilësuar vetë nga kreu i PD-së si zona e oligarkëve të kryeministrit Rama. Sipas njoftimeve të ndryshme në internet nga agjencitë imobiliare, një vilë në këtë zonë jepet me qira për të paktën 2500 euro në muaj, ndërsa për të blerë një të tillë kushton rreth 410 mijë euro. Rezidentë në këtë zonë janë biznesmenë dhe diplomatë.