Skandali i Presidentit Ilir Meta me dhënien e 419 nënshtetësive shqiptare në shkelje flagrante të ligjit, procedurave dhe protokolleve të sigurisë, po merr përmasa të paparashikueshme. Pjesë e abuzimit flagrant trevjeçar me dhënien e nënshtetësive është edhe rasti i futbollistit afrikan Winnful Essua Joseph Cobbina, i cili ndërkohë që priste dënimin nga gjykata shqiptare si falsifikator i lejes së qëndrimit, është pajisur me nënshtetësi shqiptare nga Ilir Meta, me një procedurë të paprecedentë që ka zgjatur vetëm 8 orë dhe në emër të interesit kombëtar.
Referuar dosjes penale me numër 5165 qe Shqiptarja.com ka siguruar, futbollisti nga Gana është kapur nga policia në 6 qershor 2019 me dokumente të falsifikuara. Ai po niset me avioni nga Shqipëri drejt Turqia. Gjatë kontrollit, policia kufitare në Rinas ka konstatuar se viza njëvjeçare e tij kishte skaduar që me 15 janar 2019, ndërsa i kërkoi nëse kishte një leje qëndrimi.
Cobbina i paraqiti një leje qëndrimi me numër 138564, lëshuar nga Drejtoria Vendore e Kufirit dhe Migracionit në Tiranë, në 15 dhjetor 2018 dhe vlefshme deri 15 shkurt 2019. Por në lejen qëndrimit në emrin e tij , që edhe ajo kishte skaduar, ishte shënuar një numër pasaporte, i cili nuk i përkiste Cobbina, por një personi të tjetër, konkretisht Junior Yunus Sentamu, të cilit i ishte refuzuar leja e qëndrimit në Shqipëri për mungesë dokumentacioni. Policia e ka bllokuar lejen e qëndrimit si të falsifikuar, pasi i përkiste dikujt tjetër, por që kishte foton e ganezit.
Po nga e siguroi këtë leje false Cobbina? Kur prokuroria e ka marrë në pyetje si person nën hetim, ganezi ka pohuar se lejen e qëndrimit ia ka dhënë dikush që ndiqte ndeshjet e Tiranës nga stadiumi, por që ai nuk njihte se kush ishte ky person. Gjatë kësaj kohe Cobbina ishte futbollist i Klubit Tirana.
Sipas dosje e prokurorisë, “Cobbina deklaron se…pasi ka qenë në Shqipëri në korrik 2018, pas 10 ditësh që stërvitej me Klubin Tirana, gjatë stërvitjes një ditë që nuk e kujton datën, në stadiumin “Selman Stërmasi”, ka parë një person që iu duk i rëndësishëm që qëndronte në shkallët e stadiumit dhe shikonte ndeshjen miqësore. Këtë person e kishte vërejtur edhe disa herë më parë dhe ai pas ndeshjes e ka thirrur në emër ‘Cobina’ dhe i është afruar. Personi iu drejtua në anglisht, pasi nuk e fliste shumë mirë, por mund ta kuptonte. E ka ftuar për të pirë një kafe. ….pasi janë ulur në kafe ai e pyeti nëse kishte përfunduar procesin e pajisjes me leje qëndrimi dhe Ëinnful i ka thënë se ishte në proces dhe se me procedurat merrej përfaqësuesi i Klubit Tirana. Ai tha që të mos shqetësohej se ai do ta ndihmonte për t’u pajisur me leje qëndrimi”, thuhet në dosjen e prokurorisë që është referuar në Gjykatën e Tiranës.
Po sipas kësaj dosje, Cobbina ka pohuar se tre javë pas takimit të parë, ky person ka ardhur në stadium dhe i ka dhënë një zarf, në të cilën ishte leja e qëndrimit të tij. Futbollisti thotë se as që e ka lexuar lejen, por e ka mbajtur me vete si të rregullt, Sipas tij, fotografinë e tij që ndodhet në leje, personi i ka marrë nga interneti. Futbollisti pretendon se nuk e njeh këtë person, por thotë se është i gjatë rreth 175 deri në 180 cm. Ndërkaq, Cobbina ka pohuar në prokurori se e njeh personin tjetër, Junior Yunus Sentamu, numri i pasaportës të të cilit ndodhej në lejen e qëndrimit. Sentamu ishte kolegu i tij futbollist.
Nga hetimi i prokurorisë, ka rezultuar se leja e qëndrimit ishte prodhuar në fotokopje me ngjyra. “Sa më sipër, në analizë të plotë të materialit hetimor, rezulton se shtetasi Ëinnful Essua Joseph Cobbina ka konsumuar plotësisht veprën penale të ‘Falsifikimit të vulave, stampave dhe formularëve’, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 190/2 i Kodit Penal”, thotë prokurori i çështjes Adriano Dyrmishi. Konsumimi i kësaj vepre penale parashikon deri në 5 vite burg. Në 1 tetor 2019, prokuroi përfundon hetimin dhe dërgon dosjen e futbollistit nga Gana në gjykatë, për ta dënuar si falsifikator.
Një vit më vonë, ndërsa Cobbina ishte ende në gjyq si falsifikator, Presidenti Ilir Meta, në datën 28 shtator 2020, me dekret me numër nr. 11747, i jep nënshtetësinë brenda 8 orëve nga protokollimi i kërkesës. Shqiptarja.com, gjatë një investigimi, ka zbuluar shkeljet e rënda dhe implikimin e Presidentit në një mashtrim të Klubit Tirana ndaj UEFA.
Në dekretin e firmosur nga Meta theksohet se kërkesa për marrjen e nënshtetësisë është bërë nga futbollisti. Por, nga verifikimet rezulton se kërkesa është bërë nga presidenti i Klubit Tirana, Refik Halili, në datën 25 shtator. Halili i kërkon Ilir Metës dhënien e shtetësisë me urgjencë futbollistit, për të luajtur ndeshjet në kuadër të Europe League, sidomos kundër ‘Young Boys’ në Zvicër, në 1 tetor 2020. Sipas rregullores së UEFA-s, klubet e futbollit që marrin pjesë në Eurove League, nuk duhet të kenë më shumë se sa 5 lojtarë të huaj.
Tashmë duket qartë se halli i Refik Halilit nuk është vetë ndeshja në Zvicër, por edhe problemet e lojtarit me drejtësinë dhe qëndrimi i tij i paligjshëm në Shqipëri. Halili në këtë rast ka gjetur Ilir Metën, i cili nuk është menduar dy herë, për të shkelur ligjin.
Shkresa e Klubit Tirana u dërgua me postë dhe pas tre ditësh protokollohet nga Presidenca në datën 28 shtator 2020, me numër protokolli 3263. Po atë ditë, në kohë rekord, Ilir Meta ka firmosur dhënie e shtetësisë, duke u përfshirë në manovrën e klubit për t’i hedhur ‘hi syve’ UEFA-s. Në rastin më të mirë, Meta e ka firmosur nënshtetësinë brenda 8 orëve, nëse shkresa është protokolluar në orën 8 e mëngjesi kur nis zyrtarisht puna në institucione dhe nëse Meta e ka firmosur në orën 16, kur përfundon orari zyrtar i punës.
Në një nga reagimet, Presidenca pretendon se futbollisti është verifikuar për të shkuarën, një kërkesë kjo ligjore, parashikuar në pikën 6 të nenit 9, të ligjit për shtetësinë të vitit 1998, ku është bazuar edhe dekreti i Metës. Por, si mund të verifikohet një person për kushtet e sigurisë brenda disa orëve, kur vetëm dërgimi i shkresës me postë zgjat disa ditë?!
Në të gjitha variantet, Meta ka shkelur ligjin. Edhe nëse ka arritur ta verifikojë me telefon, ky veprim është i paligjshëm. Nëse ka arritur ta verifikojë pasi i ka dhënë nënshtetësinë, shkelja është edhe më e rëndë. Nga ana tjetër, dosja e penale e personit, një vit, para se të bëhej shtetas shqiptar me firmën e Ilir Metës, është një provë e fortë që Cobbina nuk është verifikuar, pasi një dosje e tillë do të përbënte arsye për ta mos e fituar nënshtetësinë.
Gjithashtu, edhe dërgimi i kërkesës në Presidencë është nul. Sipas ligjit për nënshtetësinë, ku ka bazuar dekretin Meta, kërkesa për nënshtetësi duhet të dorëzohet në polici. Nga investigimi i rezulton se Ilir Meta ka shkelur ligjin për t’i bërë qokën e radhës, këtë herë ndaj Refik Halilit.
Në këtë mënyrë, Ilir Meta ka dhënë me kokën e tij edhe 419 nënshtetësi të tilla në tre vite, kur paraardhësit e tij, gjatë 10 viteve, kanë dhënë vetëm 76 nënshtetësi të veçanta, në shmangie të ligjit. Por, nëse ata u kanë dhënë nënshtetësi në emër të interesit kombëtar personaliteteve si: Adem Demaçi, Majlinda Kelmendi, Eliza Dushku dhe James Belushi, Ilir Meta u ka dhënë shtetësi në emër të interesit kombëtar dhe si asete të kombit njerëzve të krimit, korrupsionit, personazheve anonimë, këngëtarëve tallave, falsifikatorëve dhe manipuluesve të votave.