Pas një video-konference me kryebashkiakët e 11 qyteteve më të mëdha të Gjermanisë mes rasteve marramendëse të rritjes së numrit të personave me koronavirus, kancelarja Angela Merkel paralajmëroi për një përhapje eksponenciale nëse autoritetet shëndetësore nuk janë më në gjendje të mbajnë nën kontroll infeksionet si edhe për të thirrur në ndihmë edhe ushtrinë për përballimin e situatës. Kancelarja mirëpriti rivendosjen e kufizimeve në disa qytete dhe vlerësoi Mynihun i cili tregon se shpërthimet mund të kontrollohen duke vendosur maskat dhe duke kufizuar takimet mes njerëzve.

“Numri i infeksioneve mund të jetë në rritje, por ne nuk jemi të pazotë për t’i menaxhuar ato”, shtoi ajo. Merkel dhe 11 kryetarët e bashkive ranë dakord mbi një kornizë që do të lejojë ekspertët ushtarakë të Bundeswehr-it dhe institutit ”Robert Koch” që të dërgohen në disa qytete nëse infeksionet tejkalojnë 35 për 100 000 banorë për një periudhë shtatë ditore.

Berlini dhe Frankfurti aktualisht po raportojnë mbi 50 raste për çdo 100 000 banorë në një javë, duke i bërë zyrtarisht zonat me rrezik të lartë në vend dhe duke detyruar disa lande të tjera që të vendosin kufizime të udhëtimit për njerëzit nga ato zona. Qytetet që kalojnë kufirin 50 duhet të vendosin masa më të rrepta sipas marrëveshjes së re, të tilla si rregulla më të gjera maskimi për hapësirat publike dhe limitimin e shitjes së alkoolit.

Dhe nëse rritja e infeksioneve nuk ndalet brenda 10 ditësh, kryetarët e bashkive kanë vendosur të zbatojnë masa edhe më të ashpra dhe të paspecifikuara në qytetet e tyre. Maskat janë bërë të detyrueshme në Këln dhe tubimet në natyrë duhet të jenë të kufizuara deri në pesë persona. Konsumi i alkoolit në publik do të ndalohet nga ora 22:00 dhe shitja e alkoolit do të ndalohet plotësisht gjatë fundjavave në zonat që konsiderohen me rrezik të lartë. Masat do të qëndrojnë në fuqi deri në fund të muajit.