Eduard Belegu, ish këshilltari i ministrit të Ekonomisë, që prej 10 vitesh rezulton i zhdukur, ndërkohë që debatet rreth misterit të humbjes së tij vijojnë të trondisin politikën shqiptare. Por dhe ta mbajnë atë nën presion. Kjo dhe për arësyen se njeriu më i besuar i dy ish ministrave të Ekonomisë në qeverinë “Berisha”, përkatësisht Dritan Priftit të LSI dhe Genc Rulit të PD është shpallur i vdekur me kohë, ndërsa çështja në ngarkim të tij është mbyllur tashmë. Nuk ka asnjë autor, nuk ka asgjë.
Belegu rezulton i humbur për familjen e tij, ndërsa për organet ligjzbatuese shqiptare emri i tij tani nuk do të thotë më asgjë, duke u fshirë përgjithmonë nga lista e ntë gjallëve dhe duke marrë me vete misterin e arsyes së zhdukjes së tij. Mafia e kromit vijon të shkaktojë vik tima.
Ish-administratori i kompanisë së kromit “Darfo” në atë kohë dhe ish-këshilltar i dy ministrave u zhduk në mars 2010. Vetëm një muaj pas lirimit të tij nga qelia, pas arrestimit brenda zyrës së ministrisë dhe ku u mbajt për akuzën e vjedhjes dhe shpërdorimit të detyrëës. Belegu u pa për herë të fundit nga një biznesmen në zonën mes Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” e ish-fushës së aviacionit në Tiranë. Që atëherë gjurmët e tij janë zhdukur përgjithmonë, ndërs shteti ka heshtur. Belegu kishte planifikuar një takim me këtë biznesmen për një borxh, por pas takimit u zhduk në mënyrë të befasishme.
Kishte shkuar me automjetin e tij tip “Range Rover” pranë vendit të takimit dhe pasi kishte përfunduar bisedën dhe marrë afër 80 mijë euro, kishte takuar katër të panjohur. U tha se mund të jetë rrëmbyer nga këta katër persona që dyshohet se i kishin zënë pritë, por që nuk ka një të dhënë të saktë se kush kanë qënë ata, me çfarë kishin lëvizur dhe çfarë drejtimi ishte marrë. Gjithçka u zhyt në mister, në terr, gjë e cila nuk është ndriçuar as sot. Ky është versioni që jep dëshmitari i vetëm në vendngjarje, i cili pretendon se e pa për herë të fundit Belegun. Hetimet nuk çuan askund, ndërsa telefoni i tij që nga 23 marsi 2010 rezulton i mbyllur.
Teksa organet ligjzbatuese shqiptare nxituan në atë kohë të mbyllnin këtë çështje, Dritan Prifti, ish ministri i LSI, i cili si për koncidencë sot nuk jeton më, e lidh zhdukjen e Eduard Belegut me kupolën e lartë të qeverisë së asaj kohe të drejtuar nga Sali Berisha dhe Ilir Meta. Ish ministri i ndjerë i LSI, vetëm disa ditë pas largimit nga detyra nxori në skenë kontrabandën e madhe të naftës Virgin në të cilën ishin implikuar që nga tatimet e deri te doganat dhe kupola e Policisë së Shtetit e asaj kohe. Si kupolën drejtuese të kësaj kontrabande, Dritan Prifti përmendi ish zv.drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Agron Kuliçi. Pikërisht ish truprojën e Sali Berishës, i cili për hir të së vërtetës ishte drejtuesi real i Policisë së Shtetit e njeriu që mbaronte të gjitha punët e shefit të tij. Prifti e akuzoi Kuliçin dhe për zhdukjen e ish-këshilltarit te tij Belegu. Këtu ka përmendur Ilir Metën, si të implikuar. Dritan Prifti në mënyrë publike kërkoi prej tyre të tregonin se ku ka përfunduar ish këshilltari i tij.
“Agron Kuliçi është një person për të cilin unë dyshoj për shumë mëkate disa prej të cilave ia kam thënë Berishës me kohë. Kurse këshilltari im Eduard Belegu është arrestuar me bujë pa shkak të përligjur dhe për të më kërcënuar mua si ministër. Tani Belegu është zhdukur dhe Agron Kuliçi duhet të thotë ku është Belegu”, ka deklaruar Dritan Prifti në atë kohë. “Nëse hetohet deri në fund zhdukja e ish këshilltarit tim, mund të jetë mbase një nga hetimet e shekullit në këtë vend. Belegu nuk është larguar në asnjë vend tjetër, siç është varianti i policisë. Policia edhe sot u thotë familjareve të tij: na thoni se ku ka shkuar Belegu.
Prokuroria dhe policia nuk e kanë marrë asnjëherë seriozisht denoncimin tim për zhdukjen e Belegut, se ai është i zhdukur nga të tjerë dhe jo vetë. Mua më vjen shumë keq që drejtësia nuk ka vepruar. Edhe në video-përgjimin e shfaqur, Meta e përmend Belgun. Ai kishte kohë që më kërkonte largimin e tij”, akuzonte në atë kohë ish ministri i LSI. Sipas ish ministrit, “Për të realizuar gjërat për të cilat unë dyshoj, Kuliçaj duhet të ketë në thes të paktën dy ministra”. Pavarësisht se ish ministri i Brendshëm Lulzim Basha kishte premtuar se do të hetoheshin të gjitha akuzat e Priftit, gjithçka kishte kaluar në heshtje. Jo vetëm që Kuliçin nuk guxoi ta pyeste njeri për zhdukjen e Belegut, por as ministrin Prifti nuk e thirri askush për ta pyetur në lidhje me akuzat e forta në drejtim të njeriut të Berishës. Por dhe për akuzat ndaj Metës.
Ish ministri i Ekonomisë i LSI kishte deklaruar se “Belegu po përgatitej të denonconte Policinë e Prokurorinë për arrestimin e tij të kotë por dhe mbështetjen politike që iu dhanë akuzave ndaj tij, sidomos nga ish zv.kryeministri Ilir Meta, papritur u zhduk. Emri i Agron Kuliçajt më del në kontrabandën mafioze të naftës Virxhin, por edhe në disa veprime mafioze të tjera. Berisha duhet të distancohet nga ky ish-bodyguard, duke e pezulluar nga detyra dhe t’ia japë drejtësisë ta hetojë, pa mburojën e pushtetit, që ka në polici. Prokuroria, jo SHKB duhet ta hetojnë. Për të realizuar gjërat për të cilat unë dyshoj, Kuliçaj duhet të ketë në thes të paktën dy ministra”. Ishin akuza të rënda, për të cilat asnjëherë nuk u hetua nga Prokuroria.
Socialistët në atë kohë në opozitë i bënë thirrje Prokurorisë për të hetuar Agron Kuliçin për rrëmbimin e këshilltarit Eduard Belegu, një akuzë e ngritur nga ish ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti. Pasi akuzat e tij ishin të rënda. Ndërkohë që drejtësia nuk i ka hapur kapakët e kësaj dosjeje të rëndë, të zhdukjes së një zyrtari të lartë të shtetit. S’janë pak, ka mbi 10 vite që ëhstë zhdukur në mënyrë misterioze dhe mafioze të Eduard Belegu. Skandali është akoma më i thellë, pasi dhe sot e kësaj dite dosja e tij nuk ka shanse të hapet. Në listën prioritare të SPAK për hetimin e dosjeve të rënda të korrupsionit dhe të krimit si pasojë e tij, nuk figuron emri i ish këshilltarit të dy ish ministrave të Ekonomisë së qeverisë së Berishës. Ajo që mund të themi është se nëse do hetohej me themel zhdukja e Belegut, mund të zbardhej dhe vdekja misterioze dhe e ngadaltë e ish ministrit të LSI Dritan Prifti.