Eugena Tomini, shefja e Epidemiologjisë dhe Survejancës në Institutin e Shëndetit Publik, foli në “Dita Jonë” mbi situatën e koronavirusit në Shqipëri. Tomini u shpreh se rritja e rasteve të reja në Shqipëri ka ardhur si pasojë e ndikimit të dy faktorëve, rikthimit nga pushimet si dhe hapjes së bareve dhe restoranteve.

“Ne mbyllëm një javë tjetër me pozitivitet të lartë. Ndërkohë, kemi edhe rritje të personave të shtruar në spital dhe atyre që kanë kërkuar terapi intensive. Pozitiviteti vjen si rrjedhojë e disa ndërhyrjeve, duke filluar që nga kthimi i pushuesve nga periudha e verës. Kjo do të kishte një ndikim dhe e ka dhënë një gjë të tillë. Një ndikim tjetër kanë dhënë edhe baret dhe restorantet. Mbas 14 shtatorit, 14 tetori përkoi me një rritje të rasteve të reja.

Duhet theksuar se edhe ndërgjegjësimi i popullatës ka pasur një ndikim madhor sa i përket mosrespektimit të masave”, u shpreh Tomini. Më tej, shefja e Epidemiologjisë dhe Survejancës në Institutin e Shëndetit Publik u shpreh se në ditët në vijim do të rritet numri i testimeve.

“Rrethi i ngushtë i kontakteve me rastet pozitive na është afruar shumë. Parashikimi është se jo e gjithë popullata mund të infektohet. Ne kemi ndjekur një strategji të rasteve të dyshuara dhe kontakteve të tyre dhe nuk është se kemi gabuar shumë. Studime edhe për një test të shpejtë, Akademia e Shkencave, QSUT, i kanë bërë gjatë kësaj periudhe. Kemi qenë nga 400 testime, kemi kaluar në 1200 testime. Strategjia e vjeshtë-dimër do të shtojë numrin e testimeve. Prandaj testimet në vijim do të kenë tendencë të rriten”, u shpreh Tomini.