Ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik deklarojnë se testimet janë rritur si rezultat i hetimit epidemiologjik të rasteve dhe nuk testohet sipas një numri të përcaktuar por është terreni që e dikton testimin. Deklaratat e ekspertëve të ISHP hedhin poshtë kërkesën e kryetarit të opozitës, Lulzim Basha për të rritur numrin e testimeve me numër të paracaktuar dhe pa hetim epidemiologjik.
“Jemi plotësisht dakort për testim, testim, testim, por testimi vjen pasi ne bëjmë investigimin. Pra në terren kemi më shumë vatra, kemi më shumë njerëz që na kërkojnë ndihmë dhe prandaj kjo ka bërë që ne të kemi një testim më të shtuar kohë e fundit, në krahasim me atë çfarë kishim në fillim. Pra nuk është se ne kemi shtuar testimet se duhet të shtojmë testimet. Kemi shtuar testimet sepse është kërkuar nga gjithë popullata, nga kushtet ku jemi për shtuar këtë testim”, u shpreh epidemiologia, eksperte e shëndetit publik, dr. Adela Vasili.
Shefja e inteligjencës epidemiologjike në ISHP, dr. Eugena tomini deklaroi se gjurimi i rasteve po bën të mundur evidentimin në kohë të vatrave. “Shumica e vatrave kanë qenë vatra familjare dhe peshën më të madhe e ka pasur qarku i Tiranës me një peshë të jashtëzakonshme pune në terren për të evidentuar të gjitha vatrat dhe miniklasterat qoftë edhe në strukturat dhe institucionet e tjera publike dhe jo publike”, tha Tomini.