Mjekët, infermierët dhe epidemiologët deklaruan se marrin çdo muaj bonusin special të qeverisë, duke rrëzuar kështu deklaratat e kreut të Partisë Demokratike.
“Puna në terren vërtet është një punë e vështirë. Por kemi patur mbështetje për pjesën e logjistikës, për pjesën e bonusit. Është e vërtetë që bonusin e kemi marrë çdo muaj të plotë. Pjesa e terrenit pastaj është pjesë e vështirë. Është pjesë që fillon në mëngjes dhe nuk mbaron deri vonë. Por që ne do t’ja dalim”, tha epidemiologia Ermelinda Murati. Ekipet e epidemiologëve të Tiranës deri tani janë shtuar me 30%. Frida Bushati është pjesë e grupeve të reja të terrenit që Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka shtuar për të gjurmuar, hetuar dhe testuar rastet e dyshuara, e cila thekson se kanë gjetur mbështetjen e nevojshme për të bërë punë e tyre.
“Si pjesë e grupeve më të reja të terrenit që është shtuar rishtaz bashkë me gjithë kolegët e mi, ne kemi thuajse dy muaj që punojmë këtu. Kemi gjetur një mbështetje të pamasë, të jashtëzakonshme nga gjithë stafi. Duam t’ju falenderojmë për mbështetjen qoftë morale, qoftë bonusit, pra shpërblesës ndaj kësaj pune”, tha specialistja e shëndetit publik Frida Bushati.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju përgjigj sot kryedemokratit Bashan ë lidhje me bonusin e mjekëve dhe infermierëve. “Ne kemi 8 muaj që mbështesim mjekët, infermierët, epidemiologët, dhe do t’ju mbështesim deri në ditën e fundit të kësaj epidemie me bonusin special dhe ndërkohë që nga viti tjetër do të bëhet realitet rritja historike e pagave 40 % për punonjësit tanë shëndetësorë”, tha Manastirliu.