Bashkimi Evropian ka nisur procedurat ligjore kundër Mbretërisë së Bashkuar lidhur me planet e saj për të mos i qëndruar marrëveshjes së saj për Brexit në janar të këtij viti.
BBC shkruan se BE është e detyruar që të marrë këto veprime, pasi Britania ka hequr disa pjesë të Projektligjit të Tregut të Brendshëm dhe e ka miratuar të mërkurën.
Tashmë unioni është gati për të shkuar në Gjykatën e Lartë Evropiane kundër Britanisë. Veprimet e BE-së vijnë në një kohë kur bisedimet me Britaninë janë futur në fazën finale.
Lidhur me këtë ka folur dhe Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, e cila tha se Britania ka një muaj kohë për t’iu përgjigjur shqetësimeve të BE.
Presidentja shtoi se projektligji ishte një “kontradiktë e plotë” e angazhimeve të mëparshme të këtij shteti. Nga ana tjetër Qeveria ka insistuar që projektligji është një “rrjet sigurie” i domosdoshëm për të mbrojtur tregtinë midis pjesëve të ndryshme të Mbretërisë së Bashkuar.