Kuvendi i Shqipërisë në partneritet me Lëvizjen Kundër Antisemitizmit dhe Agjencinë për Hebrenjtë të Izraelit, do të organizojë më 28 tetor Forumin e parë Ballkanik Kundër Antisemitizmit, 2020 (online), ku të ftuar specialë do të jenë Sekretari i Shtetit i ShBA, Michael R. Pompeo dhe Presidenti i Parlamentit Europian David Sassoli, bëri sot të ditur Kuvendi në një njoftim.
Ky Forum, sipas njoftimit nga Kuvendi, do të zhvillohet pas miratimit të Rezolutës “Për miratimin e përkufizimit të përdorshëm për antisemitizmin, përcaktuar nga Aleanca Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit”, në seancën plenare të datës 22 tetor.
Në Forum, thuhet në njoftim, do të marrin pjesë Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi dhe kryetarët e parlamenteve të vendeve të rajonit, nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, përfaqësues të Parlamentit të Bosnje-Herzegovinës, si edhe zyrtarë të lartë nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, Parlamenti Europian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar dhe Izraeli.
“Rezoluta “Për miratimin e përkufizimit të përdorshëm për antisemitizmin, përcaktuar nga Aleanca Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit” dhe Forumi i parë Ballkanik Kundër Antisemitizmit, 2020, janë një lartësim prej Kuvendit të Shqipërisë, i ndjenjave e qëndrimeve të njohura botërisht të popullit shqiptar për mbrojtjen e hebrenjve si edhe një kontribut në shndërrimin e Shqipërisë në një lider rajonal të frontit të bashkuar të luftës kundër antisemitizmit”, shprehet Kuvendi.