Lulzim Basha vizitoi dje disa biznese në Tiranë, por me sa duket hyn vetëm në bizneset e ish drejtorëve të tij të dikurshëm në Bashkinë e Tiranës, të cilëve u qan hallet që kanë tani në opozitë.
Dje, zyra e Shtypit e PD njoftoi se kryetari i PD zhvilloi takime me biznesin në rrugën e Durrësit. Por, mjafton një kërkim i thjeshtë për të kuptuar se njerëzit që kanë folur para kamerës me regji të Bashës janë anëtarë të PD-së dhe ish-vartës të kreut demokrat kur ishte në krye të Bashkisë së Tiranës.
Siç e shihni edhe nga fotot, Basha u ndal dje në një dyqan veshjes me pakicë në rrugën e Durrësit, ku zhvilloi bashkëbisedim me dy gra. Pronarja e dyqanit rezulton se është bashkëshortja e kryetarit të degës Nr. 8 të PD-së, Pëllumb Seferi. Ky i fundit, i cili ka disa foto me Bashën, ka qenë drejtor i çerdheve dhe kopshteve në Bashkinë e Tiranës në kohën kur drejtohej nga PD. Në mungesë të mbështetjes së biznesit, Basha duket se ka gjetur zgjidhje t’u qajë hallet bizneseve të ish drejtorëve të tij.