Sot u hap Akademia e Kodimit, e cila sjell mundësinë për të rinjtë që të trajnohen me modelet më të mira të programimit, në mënyrë që të jenë sa më të gatshëm t’i përgjigjen kërkesave të tregut të punës.
Me nismën e Fondit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, të Bashkisë së Tiranës dhe të AKSHI-t po krijohet një mundësi e re për këta studentë, por sidomos për të rinjtë ekselentë, të papunë, për vajzat e reja dhe për ata që kanë pësuar dëme nga tërmeti, pasi ata përfitojnë edhe bursa studimi, së bashku me bursat që ofrohen nga Bashkia e Tiranës.
Hapja e kësaj akademie vjen në një moment kyç për Shqipërinë, së pari sepse situata me pandeminë e Covid-19 risolli në vëmendje nevojën e madhe për investime në teknologji dhe së dyti, sepse Shqipëria po kthehet në një vend premtues për të ardhmen në sektorin e Teknologjisë së Informacionit.
Kryeministri Rama, i pranishëm në këtë takim tha se me anë të revolucionit digjital deri në fund të vitit do të arrihet që të gjitha shërbimet administrative të ofrohen online. “Ambicia jonë është të mbyllim shërbimet nëpër zyra. Deri tani ofrohen 660 shërbime online, deri në fund të vitit do të jenë 1200 shërbime online” deklaroi Rama.
Gjithashtu, Kryeministri garantoi se lagjet e reja që do të ndërtohen si pjesë e Rindërtimit pas tërmetit, do të ketë hapësira të dedikuara për aktivitete teknologjike.