Vjollca Musha, mësuese e diturisë së natyrës në shkollën 9-vjeçare “At Zef Pllumi” në Tiranë prej muajsh po jep kontributin e saj të veçantë për xhirimet e orëve mësimore në kanalin e dedikuar “RTSH Shkollë”. Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi, solli sot shembullin e Vjollcës, mësuese e arsimit fillor prej 27 vitesh.

“Në këtë hapësirën time sociale kam vendosur që herë pas here t’ja kushtoj edhe atyre njerëzve të vërtetë në fushën e arsimit që me punën e përditshme e të palodhur, me sakrificë e gjithmonë në heshtje, janë heronj e shembuj frymëzimi në arsimimin e brezave. Një ndër to është edhe mësuese Vjollca, mësuese e arsimit fillor prej 27 vitesh, e cila tani jep mësim në shkollën 9-vjeçare “At Zef Pllumi” në kryeqytet”, – theksoi Kushi.

Ministrja Kushi u shpreh se “bashkëautore e tekstit të lëndës “Dituri Natyre” për klasat 3-5, “Mësuese Mjeshtër”, autore e teksteve të ndryshme në TIK, bashkëpunëtore e ASCAP dhe trajnere që nga viti 2010, mësuese Vjollca ndër të tjera jep prej muajsh kontributin e saj të veçantë për xhirimet e orëve mësimore në kanalin e dedikuar “RTSH Shkollë”.

“Faleminderit mësuese Vjollca dhe mirënjohje e respekt për çdo mësues tonin”, – tha Kushi.