Nga Mero Baze/

Ka një kurjozitet të madh nga lexuesit dhe miqtë e gazetës, përse Ilir Meta shpërtheu ndaj gazetës për një shkrim të zakonshëm investigativ, ndërkohë që gazeta ka pas boll shkrime kritike për të muajtë e fundit. Edhe vet e kisha këtë dilemë, pasi ndërkohë që më kishte sulmuar Presidenti, unë ende nuk e kisha lexuar shkrimin e gazetarit që kishte sulmuar presidentin, se ishte fundjavë. Tani më duket se e kam një përgjigje. Presidenti ka shkelur nen për nen dhe gërmë për gërmë ligjin e shtetësisë.

https://www.parlament.al/Files/ProjektLigje/20200804121934ligj%20nr.%20113,%20dt.%2029.7.2020.pdf

Rasti në fjalë është kur shtetësia fitohet përmes natyralizimit. Lexo nenin 8 tek ligji në fjalë.  Qytetari që e përfiton duhet të jetojë së paku 7 vite në Shqipëri, dhe procedura nuk kalon nga Presidenca, por Ministria e Brendëshme, e cila harton dosjen e tij dhe pasi e verifikon figurën dhe integritetin personal plus kushtet e tjera, ja rekomandon Presidentit për dekretim. Presidenti nuk ka koptencë të jap shtetësi. Ai dekreton një vendim të marrë nga qeveria shqiptare.  Ministria e Brendëshme i konfirmoi gazetës “Tema” se procedura për dhënien e shtetësisë për futbollistin në fjalë, nuk ka kaluar prej saj. Ministria e Brendëshme nuk ka asnjë dosje dhe asnjë kërkesë për të pajisur me shtetësi shqiptare këtë shtetas. Në këto kushte shtetësia e dhënë është e pavlefshme dhe dekretimi i saj është shkelje e rënd e ligjit, që duhet të hetohet si cështje penale, pamvarësisht imunitetit që ka presidenti.  Presidenti ka të drejt vetëm të dekretoj shtetësinë dhe jo të hap zarfin që i jep Presidenti Halili dhe pasi numuron fletët që ajnë brenda, të firmos dekretin e shtetësisë. Ilir Meta këtu nuk ka respektuar asnjë nen dhe gërmë të këtij ligji. Dhe kemi të gjitha arsyet të themi, se e ka bërë për qëllime korruptive.

Vet Presidenti i Tiranës, zoti Halili, pranoi publikisht me sinqeritet, se i duhej shtetësia që i dha Ilir Meta, pasi tani ai ka mundësi që të mbaj në ekip katër lojtarë të huaj, dy prej të cilëve ka mundur tu jap shtetësi shqiptare. Ligji jonë i sportit, lejon vetëm dy lojtarë të huaj në një ekip. I vetmi justifikim që ky futbollist të merte shtetësinë me procedurë të vecantë, është sic e parashikon ligji, nëse ekipi ynë kombëtar do të kishte nevojë për të. Ekipi ynë kombëtar nuk ka bërë asnjë kërkesë të tillë. Por dhe ky rekomandim duhet të shkonte përmes Ministrisë së Brendëshme. Ilir Meta është thjeshtë i zhytur në paligjshmëri dhe ndërkohë që është dita e tretë e skandalit, ende nuk pranon të bëj transparentë procedurën, se si e ka dhënë shtetësinë. Ne do të vazhdojmë tia kërkojmë publikisht, dhe zyrtarisht,  ndërkohë që po mbledhim dhe kemi siguruar prova dhe për pjesën korruptive të kësaj historie, gjurmët e së cilës na cojnë tek të njëjtët sekserë që i dhanë rekomandimin për  shtetësin e dy trafikantëve indianë, që ishin në kërkim në gjithë botën për mashtrim me milarda dollarë, dhe morën shtetësinë në Tiranë, ku janë nën akuzë  për pastrim parash. Dhe ishin prap në linjën e kontributorëve të Klub Tiranës me Presidencën. Me sa duket kjo është tanimë një linjë e konsoliduar korruptive mes Presidentit dhe miqëve të pronarëve të klubit në gjithë botën që duan një pasaportë shqiptare.

http://www.gazetatema.net/2019/03/22/presidenca-reagon-per-pajisjen-me-pasaporte-shqiptare-te-indianeve-spati-te-dhena-problematike/

SPAK duhet të hap dosjen hetimore për shtetësinë e dy indianëve që ishin persona në kërkim dhe ta bashkojë me rastin në fjalë, pasi kanë të nëjtin rekomandues në hije edhe pse ai futbollisti mund të jetë djalë i mirë.  Fakti që Ilir Meta reagoi ashpër me kërcënime ndaj një raporti investigativ, i cili ka mbetur ende pa përgjigje zyrtare, është se ai më mirë se sa ne, e di se cfarë ka bërë, cfarë ka përfituar në mënyr ëtë paligjshme, cfarë ligji ka shkelur dhe cfarë rreziku ka, nëse fillojnë hetohen shtetësitë e dhëna në mënyrë klienteliste prej tij, nga Kina India e deri në vendet afrikane. Përpjekja e tij banale për të ndërsyer  tifozët e Tiranës që të mbrojnë hajdutllëqet e tij, duke i gënjyer ata, se gazeta “Tema” u ka thënë terrorist, tregon dhe mungesën e respektit që ka për tifozët e Tiranës, të cilët i konsideron si njerëz që rrinë poshtë ballkonit të tij dhe ai u nxjerr BibiBlushin e tij nga sipër ti qetësoj. Kjo është një histori që Presidenti  duhet ta sqaroj para se të hidhet mbi tank si Vojo Kushi, pasi Vojo Kushi u hodh i detyruar se ishte rrethuar nga armiqtë e tij, kurse ky është i rrethuar nga korrupsioni i tij.