Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti është takuar të hënën me një delegacion të Departamentit amerikan të Energjisë, për të diskutuar zbatimin e projekteve për të cilat është arritur pajtueshmëri më 4 shtator në Uashington. Përveç Hotit, pjesë e delegacionit të Kosovës kanë qenë: zëvendëskryeministri Driton Selmanaj dhe Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi derisa përballë kanë pasur kryesuesin e delegacionit amerikan, Matthew Zais, ambasadorin amerikan në Kosovë, Philip Kosnett dhe përfaqësues të Agjencisë amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).
Kryeministria ka njoftuar se përgjatë takimit në objektin e Qeverisë së Kosovës janë diskutuar nevojat ekonomike dhe energjetike të Kosovës, të parapara edhe në Marrëveshjen e Uashingtonit. Javën e kaluar Kosova është vënë në lëvizje për të zbatuar një tjetër pikë të marrëveshjes së nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë.
Ajo ka të bëjë me rrjetin 5G dhe përdorimin e pajisjeve të teknologjisë nga shitës të sigurt. Pas një takimi të zhvilluar të premten me përfaqësues të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), si organi më kompetent në fushën e komunikimeve elektronike, kryeministri Hoti ka thënë se:
“Kosova do të ndalojë përdorimin e pajisjeve 5G, të siguruara nga shitës të pabesueshëm, në rrjetet e tyre të komunikimit. Aty ku mund të ketë pajisje të tilla, institucionet përkatëse të vendit do të angazhohen për heqjen e tyre. Kryeministri Hoti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiç kanë nënshkruar marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, në praninë e presidentit Trump. Dy palët, megjithatë, nuk i kanë hedhur nënshkrimet në dokumentin e njëjtë, por secila veç e veç i ka nënshkruar zotimet e saj. Trump, në anën tjetër, ka nënshkruar një letër, përmes së cilës i ka përgëzuar palët për guxim drejt normalizimit të marrëdhënieve. rel/