Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elis Spiropali thotë se heronjtë e popullit nuk kanë nevojë për verdhushkat e Baba Xhikes dhe Baba Xhikja është i vetmi president në botë që dekoron njerëz të rënë në luftra që kanë ndodhur kur ai vetë nuk kishte lindur akoma. Në një postim në facebook, Spiropali shprehet se Ilir Meta është gjeneral i një ushtrie të vdekur verdhushkash që s’ka asnjë lidhje me heroizmat e me heronjtë e luftrave shqiptare për liri!“Kush kujton se Ilir Meta i nderon dëshmorët me teneqet që i shpërndan si verdhushkat e qypit të marrëzisë nga foltorja e Presidentit, gabon rëndë! Nuk kanë nevojë heronjtë e popullit për verdhushkat e Baba Xhikes dhe Baba Xhikja është i vetmi president në botë që dekoron njerëz të rënë në luftra që kanë ndodhur kur ai vetë nuk kishte lindur akoma! Kjo është një farse e turpshme, e neveritshme, qesharake, e cila u bë krejt kuptimplotë kur dekorata për Vojo Kushin nuk iu dha as familjes së heroit po një të panjohuri që kishte ardhur në ceremoni nga kafeneja e LSI-së afër Presidencës!

Nëse ka një parti sot që i turpëron heronjtë e luftës është LSI e qypave dhe filxhanëve dhe nëse ka një individ që e turpëron shtetin shqiptar në marrëdhenie me kujtimin e tyre, ky është Baba Xhikja i Presidencës me dekoratat e tij si vula e Xhike Qamilit! Mua nuk më komplekson asnjë qyp e asnjë filxhan i LSI sepse unë dhe Partia Socialiste luftërat çlirimtare dhe heronjtë e tyre, i kemi në ballë, i nderojme duke luftuar për Reformën në Drejtësi, për Taksimin e Ndershëm, për Librat Shkollore Falas, për Rimbursimin e Ilaçeve për më shumë se gjysëm milionë qytetarë të pasiguruar, për Rilindjen Urbane, për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, për Shqipërinë Evropiane…Po po, Ilir Meta është gjeneral i një ushtrie të vdekur verdhushkash që s’ka asnjë lidhje me heroizmat e me heronjtë e luftrave shqiptare për liri! Kur ai flet per Avni Rustemin, mua më kujtohet blloku i tij i zi. Kur ai flet per Margarita Tutulanin, mua me kujtohen vilat e tualeti për macet e Monës. Kur ai flet per Vojo Kushin, mua me kujtohet Peçua i tij farmaceutik dhe me vjen për të vjellë nga nëpërkëmbja brutale e yjeve të luftës nën shollën e ushtrisë së gjeneral Xhikes! Kështu që le të lehin sa të duan, po të vërtetën time nuk e negocioj me askënd!”- shkruan Spiropali.