Presidenti polak, Andrzej Duda, është testuar pozitiv për koronavirusin, ndërsa vendi përballet me një rritje të infeksioneve të reja në tetor. Infektimi i tij u njoftua nga ministri presidencial, Blazej Spychalski, i cili tha se Duda “ndihej mirë” pas diagnostikimit. Një ditë para se zyrtarët të njoftonin infektimin e tij, numri i rasteve të reja në vendin me 38 milion banorë kapi një rekord ditor prej më shumë se 13.600 të infektuarish.
Udhëheqësi konservator 48-vjeçar u testua të premten. Nuk u dhanë detaje nëse diagnostikimi me Covid 19 do të ndikojë në operacionet e qeverisë.
E paqartë mbetet edhe ku është infektuar Presidentit, duke kujtuar këtu se ai mori pjesë në një forum biznesi në kryeqytetin estonez, Talin, të hënën, ku u takua me Presidentin bullgar Rumen Radev, i cili hyri në karantinë pasi u ekspozua drejtpërdrejtë nga virusi.
“Presidenti është një djalë i ri, mendoj se ai do ta kalojë infeksionin pa probleme,” i tha zëvendësministri i Shëndetësisë Waldemar Kraska radios private RMF. Ai tha se pret që të gjithë njerzit që kanë pasur kontakt me Dudën gjatë ditëve të fundit të futen në karantinë.
Polonia hyn në bllokim të pjesshëm Polonia ka hyrë në një bllokim të pjesshëm dy javor të shtunën për shkollat dhe restorantet. Gjatë bllokimit, restorantet do të jenë në gjendje të shërbejnë vetëm vakte të gatshme, ndërsa klubet dhe pishinat e fitnesit do të jenë gjithashtu të mbyllura. Qeveria u dërgoi mesazhe me shkrim qytetarëve polakë, duke u bërë thirrje të qëndrojnë në shtëpi dhe të ndihmojnë të moshuarit.
Sipas masave të reja, tubimet janë të kufizuara në pesë persona, ndalohen ceremonitë martesore, si dhe ka kufizime për numrin e njerëzve që lejohen të hyjnë në dyqane, që përdorin transportin publik apo marrin pjesë në shërbimet fetare. Vendi ka parë protesta të mëdha pas një vendimi që kufizon abortet.