Ambasadori italian në Tiranë, Fabricio Bucci deklaron se vendi ynë është në rrugën e duhur sa i përket procesit të integrimit, ndërsa shpreson që BE të hapë negociatat me Shqipërinë vitin e ardhshëm.

“Shpresojmë shumë që vitin që vjen Shqipëria të hapë negociatat me BE-në. Italia gjithmonë e ka mbështetur këtë proces dhe do vijojmë ta bëjmë edhe në të ardhmen. Është një proces për ne shumë i veçantë për të cilin ne jemi të lumtur sepse do të thotë që Shqipëria më në fund një ditë do jetë pjesë e familjes së madhe europiane, është thjesht çështje kohe. Ne jemi këtu dhe do t’ju ndihmojmë dhe do punojmë së bashku ditë pas dite deri në atë moment të madh dhe më pas do të festojmë kur ai moment më në fund do të vijë”, tha Bucci. Këtë deklaratë ambasadori e bëri mbrëmjen e së premtes në mjediset e portit të Durrësit u zhvillua ceremonia me rastin e dorëzimit të 5 zjarrfikëseve të reja. Këto mjete janë dhuratë e shërbimit zjarrfikës italian për bashkinë e Durrësit.

“Forcat tona zjarrfikëse së bashku me mbrojtjen civile dhe Guardia Di Finanzan kanë qenë të parët që kanë qenë këtu për të ndihmuar vëllezërit tanë shqiptarë. Edhe jemi sërish këtu sepse ne nuk harrojmë. Italia është një vend mik i madh dhe vëllazëror dhe që nuk i harron kurrë vendet mike si Shqipëria . Ne jemi këtu dhe do të qëndrojmë gjithmonë në krahun tuaj. Është kjo marrëveshje mes forcave tona zjarrfikëse dhe bashkisë së Durrësit ,këto mjete do t’i shërbejnë sigurisë së qytetit”, tha Bucci.

Në ceremoni morën pjesën kryetarja e Emirjona Sako si dhe prefekti Roland Nasto. Sako falenderoi shtetin fqinjë për ndihmën dhe kujtoi prezencën e 150 forcave dhe mjeteve italiane në Durrës pas tërmetit të 26 nëntorit. Kjo ndihmë e qeverisë italiane kompleton plotësisht me mjete, shërbimin zjarrfikës të Durrësit. Gjithashtu shërbimi italian do të kualifikojë edhe personelin e zjarrfikës.