Kryetari i Moskës, Sergei Sobyanin, ka thënë se vendi që ai udhëheq do të nisë vaksinimin masiv kundër koronavirusit në periudhën “dhjetor-janar”, teksa synon të hapë dy spitale tjera, ashtu që autoritetet të përballen më lehtë me rritjen e numrit të rasteve të infektimit. Sobyanin e ka bërë këtë njoftim në faqen e tij online më 19 tetor, pa dhënë detaje sesi do ta menaxhojë qyteti këtë proces.
Në muajin gusht, Rusia ka miratuar vaksinën për koronavirus, të ashtuquajtur Sputnik-V për përdorim të brendshëm, njëherësh vendi i parë që ka marrë një hap të tillë, duke nxitur debate në mesin e komunitetit ndërkombëtar të shkencëtarëve, të cilët kanë pretenduar se nuk janë kryer teste të mjaftueshme për të.
Mirëpo zyrtarët shëndetësorë rusë kanë përkrahur vaksinën. Rusia ka miratuar tashmë vaksinën e dytë dhe ishte planifikuar të nisë testimin e së tretës më 19 tetor. Ky vend, që renditet i katërti në botë për nga numri i të prekurve me këtë virus, apo mbi 1.4 milionë të infektuar, është duke përjetuar valën e dytë të rasteve, sikurse shumë vende tjera në botë.
Pandemia me koronavirus në Moskë “është jashtëzakonisht e rëndë” dhe kryeqyteti është duke u përballur me “pikun serioz” të krahasueshëm me pranverë, ka thënë Sobyanin. Dy objektet e reja spitalore do të ndërtohen brenda një parku lokal dhe një qendre tregtare të madhe.