Të gjitha bizneseve, që nuk kanë zbatuar rregullat e vendosura nga qeveria gjatë periudhës së pandemisë dhe janë gjobitur për këtë arsye, do t’u falen gjobat e vendosura. Akti normativ i qeverisë tashmë ka marrë fuqi ligjore, dhe ka si qëllim të amnistojë masat administrative të aplikuara për pothuajse 7 muaj, nga duke filluar nga data 17 Prill deri më 7 Tetor 2020.

Pra të gjitha ato subjekte që nuk u janë bindur legjislacionit gjatë kësaj kohe, do të përfitojnë nga falja. Sipas aktit normativ, për ato subjekte që i kanë paguar tashmë gjobat, kthimi i shumave pranë llogarive të tyre bankare do të bëhet brenda datës 15 nëntor 2020. Institucionet që kanë pasur kompetencën e vendosjes së gjobave, brenda këtij muaji duhet të përgatisin listat e subjekteve përfituese. Po ashtu, edhe për masat që kanë të bëjnë me bllokim lejesh/licencash apo mjetesh, kthimi do të bëhet brenda datës 15 nëntor 2020 te subjekti përfitues. Gjatë kësaj periudhe janë marrë masa ndëshkuese për pothuajse të gjitha kategoritë e bizneseve që nuk kanë zbatuar rregullat anti-covid. Ky vendim është marrë me qëllim lehtësimin e sipërmarrjes nga një barrë e shtuar gjatë kësaj periudhe krize të shkaktuar nga pandemia.(scan)