Nga Alba Malltezi

Si shumë gjëra false postdiktature, edhe përvetësimet partiake janë një nga falsitetet më të mëdha të tranzicionit shqiptar. E djathta e Sali Berishës dhe sot e Lul Bashës, nuk ka asgjë të përbashkët me të djathtën Perëndimore. Asgjë!

E djathta është gjeneratore e të bukurës, pasurisë dhe mirëqënies. Kujtoni familjen italiane fiorentine: I Medici. Të pasur sa më s’ka dhe mbështetës të së bukurës që sot është pasuri e Italisë dhe e mbarë botës: Pa i Medici nuk do të ishte Leonardo, Michelangelo dhe kryeveprat e tyre. Por që ta mbështesësh të bukurën duhet ta njohësh atë, duhet të dish të dallosh një Michelangelo nga një…!

Pa shkuar deri në Rilindjen italiane, edhe fashistët e Mussolinit erdhën si pushtues në Tiranë, por investuan në pasuri që i mbetën shqiptarëve: Qendra e Tiranës e Bulevardi lindi me ta; Burintin, Foniqin e zbuloi arkeologu i sjellë nga Italia fashiste; arkitekturë, rrugë, shkolla spitale i kemi ende prej tyre. Qendra e Petrelës, pranë Tiranës, është arkitektura fine e kësaj të djathte italiane.

Pastaj na vijnë në mendje “bukuritë” e lëna nga “e djathta” e Bashës dhe e Berishës . Nuk mund të jetë i djathtë një individ që nuk dallon një mobilje të Gio Pontit nga kolltuqet turke, duke i hedhur sikur të ishin mbeturina pa vlerë, nuk mund të jetë i djathtë një individ që pëlhurën e kadifenjtë të poltronave në teatër e ngatërron me cohat sintetike turke që elektrizojnë çdo fustan. Nuk është i djathtë kush nuk kupton se në qendër të kryeqytetit kishte vizatuar një lines gjigand si dhuratë për qytetarët. Nuk është i djathtë kush nuk njeh ndryshimin e pllakave majolike të banjove publike, nga gurët natyralë dhe mermeri i çmuar i trevave.

Mjafton të njohim dhe një të djathtë si Berluskoni: Milano 2 dhe Milano 3, dy qytetet satellite që si sipërmarrës e ndërtues ngriti rreth Milanos, ato që i dhuruan milionat e parë duke e futur në listën e milionerëve të botës, janë oazë gjelbërimi: 80 përqind e territorit gjelbërim dhe 20 përqind ndërtime. A kanë gjë të përbashkët me të djathtën shqiptare që betonizuan edhe parkun, Lanën e çdo oborr mes pallateve që kishte edhe një pemë?

Pastaj e djathta perëndimore është zemërgjerë: nuk e përqëndron, grumbullon bukurinë dhe pasurine brenda 4 mureve të kullës personale, pa pasur të bukurën përreth. Shihni pak sjelljet individuale të dy “të djathtëve” shqiptarë: Vila, zyra në luks, kulla e superatike personale, të rrethuar me mure të lartë dhe roje, por çfarë kanë ata përreth? Në Gjirin e Lalëzit mbeturinat dhe inertet e hedhura nga vilat e të pasurve, në Tiranë përvetësojnë edhe ashensorët që kanë të drejtë të ndajnë në komunitet. Një keqkuptim i madh ka ndodhur në Tiranë: “E djathta” e Bashës dhe e Berishës, nuk është as e djathtë sepse nuk di të dallojë të bukurën.

Ish kryeministri, Sali Berisha, Kreu i PD, Lulzim Basha, ne konferencen ‘Sfida dhe Vizione ne Shendetesi’, e organizuar nga PD ne bashkepunim me Fondacionin Konrad Adenauer. PD premtoi rritje te pagave te mjekeve sapo te vije ne pushtet./r/n/r/nFormer Prime Minister, Sali Berisha, DP Leader, Lulzim Basha, at the ‘Challenges and Visions Conference’ organized by the DP in collaboration with the Konrad Adenauer Foundation. The DP promised a raise in doctors’ salaries once it comes to power.