Kryeministri Edi Rama inspektoi sot kantierin e lagjes së re, në Fushë-Krujë, ku pas përfundimit të infrastrukturës, ka nisur puna për ndërtimin e banesave individuale për familjet e mbetura pa shtëpi në natën tragjike të 26 nëntorit dhe së shpejti nis puna edhe për pallatet e reja. Rama tha se “janë 15 pallate banimi me 100 apartamente, 128 shtëpi individuale, shkolla, qendra shëndetësore, zyra shërbimesh publike, zona të gjelbra si edhe një treg modern për produktet e zonës, do të shtrihen në 10 hektarë tokë dhe do të ndryshojnë rrënjësisht cilësinë e jetës së fëmijëve, prindërve, gjyshërve, që së shpejti do të banojnë në lagjen e re”.

“Qentë le të lehin karvani do të ecë më shpejt”, tha Rama. Kryeministri kërkoi që “pavarësisht motit të punohet pa pushim, sepse jashtë vullnetit tonë kishim ndalimin komplet nga karantina e përgjithshme”. “E dimë që tani në këto kushte vështirësohet puna për shkak të motit, por kjo është sakrifica që duhet bërë dhe do ta bëjmë sepse nuk duhet të vonohemi më tutje”, tha ai.

Kryeministri shprehu bindjen se këto projekte edhe nga pikëpamja e ndikimit urban do të jenë goxha më mirë se sa ato që ishin. “Thjesht duhet t’i shtyjmë dhe fillojmë edhe ato. Faktikisht me Durrësin tani jemi afër, ndërkohë që do fillojë dhe projekti masiv me Fondin e Emirateve kështu që aty jemi në vijë. Thumana dhe Bubqi po ecën po ashtu”, shtoi Rama.