Kryeministri Edi Rama siguroi sot se aeroporti i Kukësit do të jetë operacional në pranverë 2021.
Në konferencën e përjavshme për shtyp me fokus te ekonomia, Kryeministri nënvizoi se krahas kantiereve të infrastrukturës rrugore ne kemi në proces disa kantiere të mëdha të transformimit të infrastrukturës portuale dhe aeroportuale. Rama u ndal te kantieri i aeroportit të Kukësit, ku sipas tij, “po bëhet një punë e jashtëzakonshme e përditshme me orë të zgjatura”.
“Tanimë i gjithë aeroporti i ri ka filluar të marrë një formë edhe pse faza përmbyllëse e punimeve dhe mundësisht fillimi i operimeve do të kërkojë edhe disa muaj. Jemi duke punuar çdo ditë”, tha Rama. Rama theksoi se “do ta përmbushë objektivin që 120 vota për PD-në t’i sjellë me avion nga Londra”.
“Do të përzgjidhen mes atyre që kanë sharë e përqeshur më shumë aeroportin e Kukësit. I ftoj të grumbullojnë kredite për udhëtimin falas duke sharë dhe u tallur intensivisht. Kush do të shajë më shumë fiton një udhëtim falas. 120 vota me fluturim falas, ky është objektiv shpresoj ta realizojmë”, tha Rama.