Nga Mariana Mazzucato
Pas krizës financiare të vitit 2008, qeveritë në të gjithë botën injektuan mbi 3 trilionë dollarë në sistemin financiar. Synimi ishte që të ngriheshin tregjet e kredisë, dhe që ekonomia globale të funksiononte sërish. Por në vend se të mbështeste ekonominë reale – pjesa që përfshin prodhimin e mallrave dhe shërbimeve – pjesa më e madhe e ndihmës përfundoi në sektorin financiar. Qeveritë i dhanë para bankave të mëdha të investimeve që kishin kontribuar drejtpërdrejt në shkaktimin e krizës. Dhe kur ekonomia nisi të ri-ngrihej, ishin ato që korrën edhe frytet e rimëkëmbjes. Ndërkohë taksapaguesit, mbetën me një ekonomi globale që ishte po aq e brishtë, e pabarabartë, dhe që emetonte po aq karbon në atmosferë si më parë.
“Asnjëherë mos e lini të shkojë dëm një krizë të mirë”, thotë një citat i mirënjohur në fushën e politikë-bërjes. Mjerisht kjo gjë ndodhi. Tani, ndërsa vendet po tronditen nga pandemia e Covid-19 dhe bllokimet që ajo shkaktoi, ata duhet të shmangin bërjen e të njëjtit gabim. Disa muaj pasi virusi u shfaq për herë të parë, qeveritë ndërhynë për të adresuar krizat ekonomike dhe shëndetësore, duke përgatitur paketa stimuluese për të mbrojtur vendet e punës, duke miratuar rregullore për të ngadalësuar përhapjen e sëmundjes, dhe duke investuar në kërkimin dhe zhvillimin e trajtimeve dhe vaksinave. Këto përpjekje janë të nevojshme. Por nuk mjafton vetëm që qeveritë të ndërhyjnë, si shpresa e fundit kur dështojnë tregjet apo ndodhin kriza. Ato duhet të diktojnë në mënyrë aktive ecurinë e tregjeve, në mënyrë që të garantojnë llojin e rezultateve afatgjata nga të cilat përfitojnë të gjithë. Bota e humbi mundësinë për ta bërë këtë në vitin 2008, por fati i dha asaj një mundësi tjetër. Ndërsa vendet po dalin nga kriza aktuale, ato mund të bëjnë më shumë sesa thjesht të nxisin rritjen ekonomike. Ato mund të orientojnë drejtimin e asaj rritjeje, për të ndërtuar një ekonomi më të mirë. Në vend se t’u japin ndihmë korporatave, ato mund t’i kushtëzojnë shpëtimet që kryejnë me politika që mbrojnë interesin publik, dhe që trajtojnë problemet sociale. Ato mund të kërkojnë që vaksinat kundër Covid-19 të kenë mbështetjen e publikut, dhe të bëhen të arritshme në të gjithë botën.
Ato mund të refuzojnë të shpëtojnë kompanitë, që nuk kanë ndërmend të frenojnë emetimet e karbonit në atmosferë, apo që nuk do të rreshtin së fshehuri fitimet e tyre në parajsat fiskale. Për një kohë të gjatë, qeveritë kanë ndërmarrë shumë rreziqe, kryesisht në përfitim të sektorit privat. Ka qenë publiku ai që ka paguar çmimin për “pastrimin” e rrëmujave. Por në fund përfituese kanë qenë kryesisht kompanitë private. Në kohë krizash, shumë biznese kërkojnë me shpejtësi ndihmë nga qeveria. Por në kohëra të mira, ata kërkojnë që qeveria t’u rrijë sa më larg. Kriza e Covid-19, paraqet një mundësi për të ndrequr këtë çekuilibër, përmes një stili të ri marrëveshjesh, që i detyron kompanitë e falimentuara të veprojnë më shumë në interesin e publikut, dhe që i lejon taksapaguesit të marrin pjesë në përfitimet që sot i merr vetëm sektori privat. Ekonomitë e vende të zhvilluara, kanë pasur defekte të mëdha strukturore shumë përpara goditjes nga Covid-19. Shumica e fitimeve të sektorit financiar ri-investohen sërish tek financat – banka, kompani sigurimesh dhe pasuri të paluajtshme – në vend se të përdoren në një mënyrë më produktive si infrastruktura ose inovacioni. Për shembull, vetëm 10 për qind e të gjitha huave bankare në Britani, mbështesin kompanitë jofinanciare, ndërsa pjesën tjetër shkon për pasuritë e patundshme dhe asetet financiare. Struktura aktuale e financave nxit një sistem të orientuar nga borxhet dhe flluskat spekulative, të cilat kur shpërthejnë, gjunjëzojnë bankat dhe të tjerët që kërkojnë shpëtimin nga qeveria.
Një problem tjetër, është se shumë nga bizneset e mëdha i neglizhojnë investimet afatgjata, në favor të fitimeve afatshkurtra. Në dekadën e fundit, 500 kompani të mëdha kanë ri-blerë aksionet e tyre me vlerë më shumë se 3 trilion dollarë. Këto blerje, bëhen në kurriz të investimeve në paga, trajnimin e punonjësve dhe kërkimit shkencor. Pastaj është dobësimi e kapaciteteve qeveritare. Qeveritë ndërhyjnë zakonisht vetëm pas një dështimi të qartë të tregut, dhe politikat që ato ndërmarrin janë të mjaftueshme dhe shumë të vonuara në kohë. Ndërkaq, programet sociale, edukimi dhe kujdesi shëndetësor janë të nën-financuara. Këto dështime i janë shtuar krizave të mëdha, si ato ekonomike ashtu edhe ato planetare. Kriza financiare, u shkaktua kryesisht nga fluksi i tepërt e kredisë në sektorin e pasurive të patundshme, në vend se të mbështeste ekonominë reale, dhe për të gjeneruar kësisoj një rritje të qëndrueshme.
Ndërkohë, mungesa e investimeve afatgjata në energjinë e gjelbër e ka përshpejtuar ngrohjen globale, deri në pikën kur Paneli Ndërqeveritar i OKB për Ndryshimin e Klimës ka paralajmëruar se bota ka vetëm 10 vite kohë për të shmangur efektet e saj të pakthyeshme. E megjithatë qeveria amerikane subvencionon me rreth 20 miliardë dollarë në vit kompanitë që punojnë me karburantet fosile, kryesisht përmes përjashtimeve preferenciale nga taksat. Ndërkohë subvencionet e BE-së janë rreth 65 miliardë dollarë në vit. Dhe kriza e Covid-19, vetëm sa i ka përkeqësuar të gjitha këto probleme. Për momentin, vëmendja e botës është fokusuar në mbijetesën e njerëzve nga kjo krizë shëndetësore, jo në parandalimin e krizës së ardhshme të klimës apo krizës tjetër financiare.
Pandemia ka nxjerrë në pah se sa e ekuilibruar është marrëdhënia midis sektorit publik dhe atij privat. Në Shtetet e Bashkuara, Instituti Kombëtar i Shëndetit (NIH), investon rreth 40 miliardë dollarë në vit në kërkime mjekësore, dhe ka qenë një financues kryesor i kërkimit dhe zhvillimit të trajtimeve dhe vaksinave kundër Covid -19. Por kompanitë farmaceutike, nuk kanë asnjë detyrim që t’i prodhojnë vaksinat me një çmim të përballueshëm për të gjithë amerikanët, edhe pse me paratë që vijnë nga taksat e tyre po subvencionohen. Kompania kalifornian “Gilead” e zhvilloi ilaçin e saj anti-Covid, remdesivir, duke pasur 70.5 milionë dollarë mbështetje nga qeveria federale. Por në qershor, kompania njoftoi çmimin që do të paguante çdo amerikan për një kurë më këtë ilaç: plot 3.120 dollarë. Ishte një lëvizje tipike për të ashtuquajturën “Big Pharma”. E gjitha kjo sugjeron që marrëdhënia midis sektorit publik dhe privat është prishur. Dhe rregullimi i saj kërkon adresimin së pari të një problemi themelor në ekonomi: koncepti i gabuar mbi vlerën. Ekonomistët modernë e kuptojnë vlerën si të këmbyeshme me çmimin.
Kjo pikëpamje do të ishte një anatemë për teoricienët e mëparshëm si Fransua Kesnej, Adam Smith dhe Karl Marks, të cilët i shihnin produktet me vlerë të brendshme lidhur me dinamikën e prodhimit, vlerë që nuk lidhej domosdoshmërisht me çmimin e tyre. Koncepti bashkëkohor i vlerës, ka implikime të mëdha mbi mënyrën e strukturimit të ekonomive. Ai ndikon tek mënyra se si drejtohen organizatat, si llogariten aktivitetet, si prioritizohen sektorët, si shihet qeveria dhe si matet pasuria kombëtare. Për shembull vlera e arsimit publik, nuk llogaritet në PBB-në e një vendi pasi ajo ofrohet falas, por kostoja e pagave të mësuesve po. Prandaj është e natyrshme që kaq shumë njerëz flasin më shumë për “shpenzime” publike, sesa për “investime” publike. Ndryshimi i statuskuosë, kërkon t’i jepet një përgjigje e re pyetjes:Çfarë është vlera? Këtu, është thelbësore të njihen investimet dhe krijimtaria e ofruar nga një grup i madh aktorësh në të gjithë ekonominë – jo vetëm bizneset, por edhe punëtorët dhe institucionet publike. Përtej ri-mendimit të vlerës, shoqëritë duhet t’i japin më shumë përparësi interesave afatgjatë të palëve të interesuara, sesa interesave afatshkurtra të aksionarëve. Në krizën aktuale, kjo duhet të nënkuptojë zhvillimin e një vaksine anti-Covid, që të jetë e arritshme për të gjithë në planet. Në përgjithësi, vendet duhet gjithashtu të strukturojnë investimet publike. Gjatë pandemisë, ato kushte duhet të promovojnë tre objektiva të veçantë: Së pari, të ruajnë vendet e punës për të mbrojtur produktivitetin e bizneseve, dhe sigurinë e të ardhurave familjare.
Së dyti, të përmirësojnë kushtet e punës duke ofruar sigurinë e duhur, paga të denja, nivele page të mjaftueshme për të sëmurët, dhe një rol më të madh në vendimmarrje. Së treti, të çohen përpara misionet afatgjata si ulja e emetimeve të karbonit në atmosferë, dhe aplikimi i përfitimeve të digjitalizimit në shërbimet publike, nga transporti në shëndetësi. Dymbëdhjetë vjet më parë, kriza financiare ofroi një mundësi të rrallë për ta reformuar kapitalizmin, por ajo u shpërdorua. Tani, një krizë tjetër paraqet një mundësi tjetër për rinovim. Këtë herë, bota nuk ka luksin që ta çojë dëm. Shënim: Mariana Mazzucato, është profesoreshë në Kolegjin Universitar të Londrës, dhe autore e librit “Vlera e gjithçkaje:Reformimi dhe përfitimet nga ekonomia globale”. Marrë me shkurtime nga “Foreign Affairs” – Bota.al