Në natën e 26 nëntorit, familja e madhe Qordja humbi shtëpinë e vjetër ku jetonin së bashku 4 kurorë të cilat më pas u strehuan në kontenierë.

Pas 11 muajsh, në truallin nga ku u pastruan gërmadhat e strehës së vjetër, tashmë janë ngritur 4 vila të reja për këtë familje në Farkë, që ishte një prej fshatrave të Tiranës që tërmeti nuk e kurseu në dëme të konsiderueshme materiale.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamje nga banesat e reja të 4 vëllezërve Qordja, të cilët më parë jetonin të gjithë në një shtëpi, por tani sipas ligjit, secila ka shtëpinë e vet

Pjesëtarët e kësaj familje i gëzohen banesave të reja që u ndërtuan në truallin e tyre, që me kopshtet e vogla përreth kanë dhuruar një panoramë krejt tjetër

I shoqëruar edhe nga ministri i Shtetit për Rindërtim, Arben Ahmetaj dhe kryebashkiaku Erion Veliaj, Kryeministri Rama u ka dhuruar dokumentet e pronësisë për secilin nga anëtarët e familjes që përfituan banesën e re.

Kantieret e rindërtimit të banesave individuale po mbyllen njëri pas tjetrit, duke u shndërruar në vepra të përfunduara, të standardeve të larta të infrastrukturës dhe sigurisë.