Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Yuri Kim vlerësoi sot thirrjen që Këshilli i Lartë Gjyqësor u ka bërë gjyqtarëve që përmbushin kriteret formale ligjore dhe që kanë kaluar me sukses procesin e rivlerësimit kalimtar duke u konfirmuar në detyrë, të kandidojnë për pozicionet e lira për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese. Ambasadorja Kim tha se shpreson që kjo do të inkurajojë më shumë gjyqtarë që t’i përgjigjen thirrjes së detyrës
“Shumë mirë që KLGJ-ja (pas KLP-së) po vepron për të mbështetur sigurinë e karrierës për gjykatësit që kanë kaluar Vetingun të cilët do aplikojnë në dy vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese”, theksoi Kim. “Ne shpresojmë se kjo do të nxisë më shumë gjykatës që t’i përgjigjen thirrjes së detyrës. Shqipëria ka nevojë për ju!”, nënvizoi ambasadorja Kim.
“Këshilli, duke vlerësuar Gjykatën Kushtetuese si organin kryesor për garantimin e respektimit të parimeve të kontrollit dhe balancimit të pushteteve, sigurimin e kushtetutshmërisë në vendimmarrje dhe sundimin e ligjit në Republikën e Shqipërisë, inkurajon gjyqtarët me integritet dhe cilësi të larta etiko-profesionale të kandidojnë për pozicionet e lira për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, të shpallura nga Kuvendi dhe Presidenti i Republikës”, thuhet në njoftimin e sotëm të KLGJ-së.