Presidenti i Këshillit Europian ka njoftuar se ka zhvilluar një bisedë telefonike me Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama. Më një cicërimë në Tëitter, Charles Michel shkruan se pritet me padurim zhvillimi i konferencës së parë për kornizën negociuese.
“Në komunikim online me Edi Ramën. Presim me padurim konferencën e parë ndërqeveritare që do të mblidhet pas miratimit të kornizës negociuese. Angazhimi është i mirëpritur për reformat dhe zbatimin e BE-së.
Solidariteti i ndërsjellë gjatë # COVID19 ka përforcuar më tej marrëdhënien BE-Shqipëri”-shkruan Michel. Biseda mes presidentit të Këshillit Europian dhe kryeministrit Edi Rama është zhvilluar të premten një ditë pas kalimit në Kuvend të Kodit të ri Zgjedhor pa asnjë ndryshim. Zhvillimi i kësaj telefonate dhe mos cekja e kësaj çështje, si dhe nënvizimi i faktit se gjithçka është në pritje të konferencës së parë ndërqeveritare tregon sa duket që kjo çështje është e mbyllur si kapitull edhe për Brukselin. Për këtë bisedë të zhvilluar, ka komentuar në Facebook edhe kryeministri Edi Rama:
“Një bashkëbisedim si gjithnjë miqësor, i hapur, interesant me Presidentin e Këshillit Europian dhe mikun e çmuar, Charles Michel, një mbështetës i pakursyer i integrimit europian të Shqipërisë e të Ballkanit Perëndimor. Folëm për Konferencën e Parë Ndërqeveritare Shqipëri – BE, si hap domethënës në rrugën drejt anëtarësimit pas çeljes së negociatave; Planin Europian të Investimeve në rajonin tonë; ecurinë e Shengenit Rajonal dhe tematikën e konflikteve në zonën e OSBE”
PD nga ana tjetër ka lëshuar Doris Pack, që edhe në pension, vazhdon t’i shërbejë Berishës dhe Pollos. “Është koha që BE të kuptojë se Rama po e mashtron dhe duhet ta penalizojë atë. Shqiptarët ndihen të humbur nga problemet e tyre të përditshme dhe largohen nga vendi. Unë vetë takoj shumë prej tyre, duke ikur nga atdheu i tyre për të siguruar të paktën një të ardhme më të mirë për fëmijët e tyre”,– shkruan Doris Pack.