Sot në sheshin “Skenderbeu” në Prishtinë është shënuar “Dita Botërore e Ecjes”, nën organizimin e Komitetit Olimpik të Kosovës në bashkëpunim me komunat.
Në hapjen e këtij aktiviteti morën pjesë ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi dhe presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani.
Dumoshi deklaroi se ajo mbështet çdo iniciativë e cila jep një mesazh të tillë sikur ky sot i organizuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës dhe se ecjen e saj nga shtëpia deri te sheshi “Skënderbeu”, ia dedikon personave me aftësi të kufizuara.
Ajo më tutje i ka ftuar të gjithë qytetarët që t’i bashkohen kësaj ecje.
“Çdo iniciativë e cila është e tillë dhe jep një mesazh, gjithmonë si ministre do t’i përkrahi. Ne jemi mbështetës të aktiviteteve të cilat i organizon Komiteti Olimpik në krye me presidentin. Unë sot ecjen time nga shtëpia deri te sheshi “Skënderbeu” me shumë dashuri ia dedikova personave me aftësi të kufizuara që të krijohen kushte për ata për më shumë sport dhe për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. Është shumë e rëndësishme që Kosova është pjesë e këtij aktiviteti që ndodhë në 160 vende të botës. Andaj i ftoj të gjithë që t’i bashkohen kësaj ecje dhe t’ia dedikojnë ndonjë personi të veçantë”, tha ajo.
Ndërsa, presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani foli për rëndësinë që ka aktiviteti fizik dhe sporti në shëndetin e njeriut, e po ashtu edhe në zhvillimin ekonomik.
“Sot jemi tubuar që ta festojmë 4 tetorin, “Ditën Botërore të Ecjes”, e organizuar nga “TAFISA” një organizatë ndërkombëtare për sportin për të gjithë dhe normalisht çdo njeri i cili ka dal nga shtëpia për të shëtitur, për të ecur, për sport, me biçikletë, e gëzon të drejtën për të bërë një foto dhe ta memorizojë këtë moment, por edhe të ftojë me dhjetëra e qindra shokë të tij dhe familjarë që t’i bashkangjiten kësaj kampanje. Normalisht nderi më i madh për ne është që sot është prezente ministrja për Kulturë, Rini dhe Sport, Vlora Dumoshi, e cila me prezencën e saj po dëshmon sa është e përkushtuar për sportin dhe sa është i rëndësishëm sporti. Normalisht, sporti tejkalon arsyen primare për ruajtjen dhe përmirësimin e shëndetit, tashmë sporti është një industri e cila ndikon në punësim dhe zhvillimin ekonomik. Ne vendet e Unionit Evropian, kjo është mbi 2% që ia kalon industrisë së bujqësisë. I ftojë të gjithë qytetarët që t’i bashkangjiten kësaj kampanje dhe ta dërgojmë një mesazh në botë se ne e duam sportin, e duam rekreacionin dhe e duam stilin e jetës së shëndetshme nëpërmjet sportit”, tha Hasani.
Përndryshe, ky është ndër aktivitetet e para që KOK, ka organizuar që nga lirimi i masave nga Qeveria për të gjitha federatat e sportit në vendin tonë.