Kryeministri Edi Rama njoftoi sot, në konferencën për shtyp me fokus tek ekonomia se duke filluar që nga 1 Janari 2021 për mjekët dhe infermierët rroga do të rritet me 40%, ndërsa për mësuesit paga do të rritet me 15%.
“Paga për bluzat e bardha do rritet me 40%, më e madhja historike për bluzat e bardha dhe paga për arsimtarët 15%. E dyta shifër që do t’ju jap është që me një numër punonjësish në sektorin publik që është më i vogël se në 2013, por le ta marrim njësoj, fondi i pagave është rritur nga 450 milion dollarë në 2013, në 710 milion dollarë sot, duke përfshirë edhe rritjen e sotme që do të thotë 2 mandate qeverisëse të atyre që nuk e di ku e gjejnë kurajon të kërkojnë të rikthehen dhe dy mandatet tona është thuajse dyfish fondi i pagave në sektorin publik.” – deklaroi Kryeministri.
Pasi dha lajmin e mirë për punonjësit në shëndetësi dhe në arsim, Rama iu përgjigj disa akuzave se ai dhe qeveria e tij kanë rritur taksat, duke prezantuar faktet me shifra.
“Për të gjithë ata që insistojnë se ne paskemi rritur taksat: Kursimi nga taksimi i ndershëm në Shqipëri është 21 milionë dollarë në vit. Dhe 166 milionë dollarë në këto vite. 166 milionë dollarë të cilat ata ja u merrnin njerëzve, ne ua kemi lënë familjeve në arkën e familjeve të tyre, nga kursimi i taksës, i asaj taksës famëkeqe të sheshtë, që ne e shembën dhe e bëmë të ndershme. Kush fiton më pak, paguan më pak. Ata duan të bëjnë sërish që infermierët, arsimtarët, punonjësit e shtetit me një pagë mesatare të paguajnë më shumë se “oligarkët” ose pa thonjza të pasurit.”- tha Rama.
Në mbyllje të prezantimit të kësaj jave, Kryeministri paralajmëroi se javën e ardhshme do të shpjegohet rritja e pagës minimale deri në 300 mijë lekë të vjetra.
“Javën e ardhshme do komunikojmë ndryshimet e tjera që lidhen me taksimin e ndershëm në funksion të lehtësimit të asaj pjese të shtresës së mesme që është në piramidën e taksimit për të ardhurat personale, dhe për pagën minimale që do të hyjë në fuqi në 1 janar. Kemi përfunduar planin tonë për buxhetin. Më vjen jashtëzakonisht mirë që pavarësisht nevojave për përballimin e dy goditjeve e që vijojmë t’i përballojmë me dinjitet, kemi një seri investimesh jo vetëm sepse rindërtimin e kemi kthyer në motor të shtuar të rimëkëmbjes së ekonomisë, por edhe për shkak të disa proceseve që në 4 vitet e ardhshme do sjellin fluksin më të madh të parasë së injektuar nga investime të brendshme dhe të jashtme.” – përfundoi Kryeministri Rama.