Qarkullon një legjendë se në vitet 1980, Petro Marko thoshte se Fishta është një elefant mbuluar me hi. I ndaluar e i mohuar gjatë gjithë viteve të regjimit komunist, poeti klerik, arkitekt, shkrimtar e dramaturg rizbulohet tashmë përmes kujtimesh e dromcash të fshehura. Gjergj Fishta në 149-vjetorin e lindjes, vjen përmes dëshmish e kujtimesh të atyre që ia ruajtën veprën, qoftë edhe duke e maskuar si sovjetik. Kjo shkruan literaturë sovjetike, një libër i tim eti, Mark Ndoja që ka qenë nxënës i Fishtës dhe në fakt është ‘Anzat e Parnasit’. Ky libër ka qarkulluar në Shqipërinë komuniste me kopertinë të letërsisë sovjetike. Ky është libër i 1937, mund të jetë kopja e parë e lahutës me dorëshkrimin e Fishtës që babai im e kishte idhur dhe është dënuar për të. Në këtë formë qarkullonin librat në atë kohë, me kamuflazh, tha Leka Ndoja. Vitet e ndalimit, patën vetëm rrekje për ta përbaltur. Ndoja tregoi rastin kur iu kërkua Fatos Arapit në vitet 1960, që të trajtonte Fishtën me sens negativ. Arapit ju mbushën sytë me lot, qante për Fishtën. Nuk pranoi dhe e hoqi nga puna se nuk pranoi Manush Myftiu, tregoi Ndoja.
Në konferencën e mbajtur nga Qendra e Librit me rastin e përvjetorit, u nxorën në pah, jo vetëm vlerat e figurës poliedrike të Fishtës, por u dhanë edhe përgjigje mbi pikëpyetjet që e shoqëruan ndalimin e tij nëpër dekada. Alda Bardhyli tha se Fishta është joshje prej pasurisë që i la gjuhës. Ndërsa për Kolec Çefën, disa e kanë dashur e disa jo, por Fishta nuk mund të përkthehet në gjuhë letrare. Me Italinë s’ishte për opurtunitet, ndryshe nga si duan ta trajtojnë, ai ishte me Italinë sepse Italia donte shtet shqiptar. Zhdukja e veprave u ndoq nga zhdukja e eshtrave, por figura e tij, mbeti e pashlyeshme në kujtesën e brezave që i mëkoi me dashuri për vendin dhe kritikë për klasën politike.