Nga Artur Ajazi/
Ilir Meta, nuk do ta kishte menduar kurrë, se do të vinte një ditë dhe qetësia e tij personale dhe familjare do të prishej, se miqësitë e vjetra do të lëkundeshin, se ballanca mendore mes arsyes dhe nxitimit do të ishin të papërballueshme, dhe se posti që mban do ti dukej ferr. Ai nuk do ta kishte menduar dhe besuar kurrë, se do të vinte një ditë, që edhe pse ka kapur majën e shtetit, faktikisht është në fund të tij. Psikika e Ilir Metës është trazuar keqas, qetësia është prishur, ndërkohë që rrezikon të ndiqet penalisht për disa shkelje ligjore. Ilir Meta, nuk është më predikuesi i proverbit qesharak “me qetësi dhe dashuri”, por ai thjesht është sot një kryetar i një partie që bën opozitë rrugëve, në shkrirje e sipër.
Si në ëndërr, Ilir Metës po i “rrëshqasin” dhe po i ikin nga duart të gjitha, po e braktisin edhe miqtë e dikurshëm. A thua ta ketë mallkim, apo ndonjë shkëputje të brëndshme që lidhet me zhgënjimet e së shkuarës dhe frikën e së ardhmes ? Por paradoksi i Ilir Metës qëndron thelbësisht në faktin, se ai sillet me institucionet e reja të dala nga reforma për drejtësi, sikur janë institucione në varësi të tij, sikur janë degë të LSI-së, dhe që duhet t’i kthejnë atij përgjigje për shqetësimet dhe problematikat që ai ka. Presidenti i Republikës në detyrë, e ka braktisur përfundimisht misionin e tij si simbol i “unitetit kombëtar”, duke marrë rolin e kryeopozitarit gaztor, dhe duke u bërë banal dhe qesharak. Duke rivalizuar kreun zyrtar të opozitës Lulzim Basha në daljet e tij publike, Ilir Meta ka zgjedhur të merret çdo ditë me kundërshtarin e tij politik, e fillon dhe e përfundon ditën me sulme ndaj kryeministrit Edi Rama, duke mos lënë pas dore as fundjavat mes maleve dhe fushave. Por Ilirit nuk i del kollaj e “keqja”, pasi po ndjen humbjen, rrënimin, dhe nuk lë ditë pa u shprehur se “shqiptarët po përgatiten për referendumin më të rëndësishëm në këto 30 vite kundër tiranisë dhe babëzisë së një bande”. Ai ka vendosur të bllokojë drejtësinë, duke patur frikë nga ndëshkimi. Ndërkohë që nuk lë rast pa sulmuar qeverinë, mediat që e kritikojnë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, sa herë që drejtësia e re, bëhet gati ta godasë. Shkarkimi, arrestimi, dënimi, shpronësimi, e kanë prishur dhe trazuar psikikën e kreut të shtetit, duke e transformuar atë jo thjesht në një “kundërshtar tipik ” të Edi Ramës, por në një “luftëtar të lodhur” për “mbrojtjen e Kushtetutës”. Ai nuk e njeh cakun dhe kufirin e detyrës dhe pushtetit, ai nuk e njeh forcën dhe llogjikën e ligjit, ai nuk e njeh dhe nuk e zbaton respektin dhe mirënjohjen ndaj askujt, por njeh dhe turret vetëm pas parasë.
Ilir Meta turfullon dhe shpif gjithmonë kur i afrohet rreziku, si asokohe kur u përhap lajmi se “ish-ambasadori SHBA Lu, (sipas mikut të tij Adriatik Llallës ) kërkonte arrestimin e tij”, apo kur Parlamenti ngriti komisionin e shkarkimit nga detyra e kreut të shtetit. Ndoshta ishte mallkimi më i madh për Ilir Metën lënia në detyrë, pas vendimit të komisionit të posaçëm parlamentar. Kjo për faktin sepse kështu siç po vepron, është bërë jo “i rrezikshëm” siç beson ai, por qesharak. Psikika e tij e rënduar, e ka detyruar atë të dalë me koshiencë kundër integrimit të vendit në BE, kundër reformave rradikale europianizuese që ka nisur Edi Rama, qeveria dhe Parlamenti, madje dhe kundër institucioneve ligjzbatuese.Ilir Meta i kërkon vehtes pamundësinë dhe shqiptarëve “ortakëri” në qorrsokakët ku ka vendosur të mbyllë përfundimisht karierën e tij aksidentale prej “politikani” pas 25 Prillit 2021.