Një lajm i mirë vjen nga përtej Adriatikut për emigrantët shqiptarë që jetojnë e punojë atje. Italia do të reduktojë afatin kohor të procedurës për marrjen e nënshtetësisë italiane nga katër në 3 vite. Kjo risi është pjesë e modifikimeve të fundit të ndërmarra nga qeveria italiane ndaj dekreteve mbi sigurinë e rendin publik të miratura në kohën kur Matteo Salvini mbante postin e ministrit të Brendshëm.
Me ndryshimet e reja kohëzgjatja e ekzaminimit administrativ të kërkesës për marrjen e nënshtetetësisë italiane ulet nga 48 muaj në 36 muaj. Deri më 4 tetor 2018 kjo procedurë zgjaste vetëm dy vite por me kërkesë të ministrit të Brendshëm në qeverinë Conte 1, Matteo Salvini, afati 2 vjeçare ishte mjaft i pakët për të analizuar të drejtën e natyralizuar të emigrantit për të marrë nënshtetësinë italiane.
Sipas ligjit në fuqi nënshtetësia italiane merret pas një rezidence 10 vjecare me leje të rregullt qëndrimi në territorin italian e me përmbushjen e kërkesave të tjera ekonomiko-administrative të jetesës në Itali. Lëvizja globale “ActionAid” për mbrojtjen e të drejtave të emigrantëve e të drejtave humane shprehet e pakënaqur nga ky ndryshim. “Janë bërë hapa para por mund të bëhej më shumë në rishikimin e dekreteve të Salvini”, ka deklaruar me një komunkatë për mediat. “Ndaj së drejtës së nënshtetësisë italiane nuk ka një sjellje reformuese konkretet për faktin e thjeshtë se kohëzgjatjen e praktikës burokratike për marrjen e nënshtetësisë nuk u soll në formën e saj të mëparshme 2 vite siç ishte parashikuar në qeverinë Conte 1”.
Ndryshimet e reja janë strukturuar në 12 nene që shumë shpejt priten të diskutohen e më pas të aprovohen në Parlamentin italian. Deputeti i zgjedhur nga diaspora italiane i forcës politike “Italia Viva”, Massimo Ungaro, shprehet se “Parlamenti italian do të përmirësoj këto ndryshime e sidomos në temën e nënshtetësisë italiane.” Por gjithashtu ai kujton se mbetet ende pa zgjidhje çështja e së drejtës së nënshtetësisë për emigrantët e brezit të dytë, “Ius culturae” që do të mundësoj marrjen e nënshtetësisë italiane për fëmijët e emigrantëve që kanë lindur, janë rritur e shkollohen në Itali.