Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, në rubrikën e pyetjeve të ngritura nga qytetarët për COVID-19, ka publikuar mesazhin e prof. Silva Bala nga spitali COVID2. Në përgjigjen e saj, mjekja e njohur thekson se shëndeti është gjeja më e çmuar që ka secili prej nesh ndaj dhe në këtë kohë pandemie kujdesi për të duhet të jetë i shtuar.

Pyetjes se kur duhet ti drejtoheni Spitalit prof. Bala i pergjigjet se kjo duhet të ndodh kur rekomandohet nga mjeku i famijles.

“Nëse ju drejtoheni tek mjeku i familjes, nëse ju drejtoheni tek mjeku specialist dhe mjeku ju thotë se ju jeni për të vajtur për t’u trajtuar në spital, mos e neglizhoni këtë rekomandim të mjekut. Drejtohuni sa më parë qendrave spitalore në kohën që mjeku mendon se nuk mundet të vazhdoni më të mjekoheni në shtëpi. Në shtëpi mjekohet sëmundja e lehtë. Mjeku kur mendon se sëmundja është e patrajtueshme në shtëpi, patjetër dhe është e domosdoshme që trajtimi të bëhet në qendrat spitalore, nën trajtim të kontrolluar me ekzaminime dhe në ndjekje të vazhdueshme të gjendjes suaj”, shprehet Bala.

Bala u ka bërë apel qytetarëve për zbatimin e masave me qëllim parandalimin e COVID-19.

“Neglizhenca më e vogël ju kushton jetën! Ju lutem edhe njëherë: Sa herë që të dilni nga shtëpia, mos e harroni maskën. Bëjeni maskën sendin tuaj më të domosdoshëm. Maska është pjesë e trupit tuaj tashmë për t’ju mbrojtur nga ky virus i rrezikshmën”, thekson Bala në mesazhin e saj.