Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut, të dielën ka njoftuar për dhjetë të vdekur dhe 428 të infektuar me koronavirusin e ri, ndërkohë që 128 persona janë shëruar.
Të dhënat i referohen 1,853 testeve të kryera në 24 orët e fundit.
Viktimat janë: nga dy në Shkup, Tetovë dhe Prilep ndërsa nga një rast me fatalitet është regjistruar në Strugë, Kumanovë, Kriva Pallankë dhe Strumicë.
Numri i përgjithshëm i viktimave me koronavirus ka arritur në 834, shumica prej të cilëve janë në Shkup, ndërsa numër të madh të vdekjeve kanë regjistruar edhe qytetet e Kumanovës, Shtipit, Prilepit, Dibrës dhe Tetovës.
Edhe numri më i madh i të infektuarve është në Shkup. Të dielën në kryeqendrën e Maqedonisë së Veriut janë infektuar gjithsej 200 persona, ndërsa qytetet tjera me numrin më të madh të të infektuarve janë Tetova 30 raste, Prilepi 29, Kavadari 17, Kumanova 16 të infektuar ndërsa numër më i vogël i rasteve të reja është shënuar në 17 qytete të tjera.
Numri i përgjithshëm i personave të diagnostikuar me sëmundjen COVID-19, që e shkakton koronavirusi, në Maqedoninë e Veriut ka arritur në 23,628 persona. Prej tyre, 17,239 pacientë janë shëruar, ndërsa aktivë janë 5.555 persona.
Komisioni i Sëmundjeve Infektive të hënën do të shqyrtojë gjendjen epidemiologjike dhe rritje e rasteve me COVID-19. Në rast se vazhdon rritja e rasteve, nuk përjashtohen masa të reja kufizuese, por për momentin institucionet nuk mendojnë që të vendosin masën e karantinës apo edhe të orës policore. Kuvendi ndërkohë pritet të miratojë masa që tashmë kanë kaluar në qeveri, e që kanë të bëjnë me mbajtjen e maskave në ambiente të hapura, kufizimin e grumbullimit të më shumë se katër personave pas orës 22:00, kufizimin e kapaciteteve të objekteve të gastronomisë, por edhe kufizimin e mysafirëve nëpër shtëpi.