Tiranë, 2 Tetor – Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Republikës së Shqipërisë kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e shëndetësisë, duke hartuar protokoll shtesë për t’u përballur me Covid-19.

Marrëveshja u nënshkruar nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqëipërisë, Ogerta Manastirliu, dhe Ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Armend Zemaj. “Kjo marrëveshje do të thellojë edhe më shumë jo vetëm bashkëpunimin por edhe shkëmbimin reciprok të ekspertëve dhe personelit shëndetësor në funksion të mbështetjes dhe menaxhimit klinik të rasteve. Bashkëpunimi në fushën e sigurimit të praktikës së mirë mjekësore dhe dëshmi për trajtimin e pacientëve me Covid19. Ofrimin e shërbimeve shëndetësore dhe atyre të shëndetit publik nga mjekët e dy vendeve për zonat kufitare. Krijimin e platformës së përbashkët për ndarjen e informacionit në kuadër të survejancës epidemike. Gjithashtu dhe veprime të ndërsjellta në kuadër të hetimit epidemiologjik, shkëmbimit të informacionit për shtetasit në të dy vendet, të zonave ndërkufitare, dhe masat e ndërsjellta të cilat do të vijojnë të ndërmerren në vijim të përgjigjies ndaj Covid19”, tha Manastirliu gjatë prezantimit të pikave të marrëveshjes mes ministrive të Shqipërisë dhe Kosovës.

Duke vlerësuar bashkëpunimin mes dy ministrive, Manastirliu tha se do të vijojë asistenca e ndërsjelltë për pajisje, materiale mjekësore, teste dhe mbështetje direkte për të dy vendet. Kjo është mbledhja e 6 mes dy qeverive. Në takimet e mëparshme të dy qeverie, janë nënshkruar edhe marrëveshje të tjera në fushën e shëndetësisë për rritur bashkëpunimin në sektorë me interes të përbashkët apo dhe shkëmbimin e informacionit për parandalimin e sëmundjeve infektive, duke fuqizuar kapacitetet e përbashkëta njerëzore apo dhe përmirësim të legjislacionit. Palët kanë ngritur një Komitet të Përbashkët Monitorimi dhe Koordinimi, me qëllim vlerësimin e prioriteteve në kuadër të bashkëpunimit, përgatitjen e plan veprimeve në fushën e shëndetësisë dhe shkencave mjekësore dhe informimin periodik të dy ministrive mbi zhvillimet e këtij bashkëpunimi.