Disa prej Inspektoriateve Shtetërore janë grumbulluar një një “task force” anti-COVID, qëllimi i të cilës do të jetë të ndërgjegjësojë qytetarët për rëndësinë e mbajtjes së maskave. Inspektorët që do të shpërndahen në terren nga dita e sotme i përkasin Inspektoriatit të Shëndetit, Inspektoriatit të Punës, atij të Pyjeve dhe Agjensisë së Barnave. Inspektorët janë të pajisur me jelekë të jeshilë, në të cilën në një rreth të kuq të madh shkruhet vetëm: “Mbani maskën!”.
Detyra e inspektorëve do të jetë të ndalojnë qytetarët pa maskë, duke i këshilluar që ta vendosin atë, pa pasur juridiksion për të vendosur gjoba, diçka që mund ta bëjë vetëm Policia e Shtetit. Në pesë ditët e para që prej miratimit të aktit normativ që vendos me detyrim mbajtjen e barrierës mbrojtëse në ambientet publike, në total janë vendosur 2 800 gjoba me vlerë 3 mijë lekë.
Kryeministri Rama, më herët shpjegoi se vlera e gjobës është zgjedhur që të jetë e ulët, ndryshe nga vende të tjera si SHBA ku gjoba shkon deri në 15 mijë dollarë apo në BE, ku ajo varion mesatarisht 1 mijë euro. Kjo sepse sipas kreut të qeverisë synimi në vetvete nuk është disiplinimi dhe ndëshkimi i rëndë i shkelësve, por ndërgjegjësimi kolektiv për rrezikshmërinë e epidemisë së COVID-19.
Gjithashtu, Kryeministri iu përgjigj akuzave të opozitës për ezaurimin e vendeve apo mostrajtimin e pacientëve, duke theksuar se aktualisht janë ezauruar vetëm ¾ e vendeve të dy spitaleve COVID në Tiranë, ku janë edhe dy spitale të tjera në gatishmëri. Strategjia shtetërore për përballimin e sëmundjes parashikon edhe skenarin emergjent, sipas të cilit aktivizohen gati 1 mijë shtretër të rinj në spitalet rajonale.
“Nuk jemi në këtë lu ftë as vetëm dhe as të vetmit. Jeta që njohim do të rikthehet thotë Kancelarja Merkel, por ky është momenti që si individë të kujdesemi më shumë për njëri-tjetrin, veçanërisht të afërmit tanë me probleme shëndetësore dhe në moshë të tretë”, theksoi zoti Rama.