Kryeministri Edi Rama njoftoi mbajtjen e detyrueshme të maskës në çdo mjedis publik, me përjashtim të shtëpisë. Për masat ndëshkimore ndaj shkelësve të këtij rregulli, duhet pritur vendimi i Qeverisë, por Rama tha se gjobat do të paguhen tek faturat e energjisë elektrike, ndërsa zbatimi i ligjit do t’i ngarkohet Policisë së Shtetit dhe Policisë Bashkiake dhe jo inspektoriateve. Vendimi për vendosjen e maskave edhe në publik, vjen vetëm një javë pas vendimit që Ministria e Shëndetësisë dhe komisioni i ekspertëve që trajtojnë COVID-19 morën për hapjen e mjediseve të brendshme të bareve dhe restoranteve. Mjeku i shëndetit publik Erion Dasho do ta konsideronte qesharak këtë vendim që hyn në fuqi ditën e enjte pasi të miratohet në mbledhjen e Këshillit të Ministrave ditën e mërkurë.
“Vendimi për mbajtjen e maskave në publik është qesharak dhe i pabazuar në evidenca”, do të shkruante Dasho në llogarinë e tij në Facebook. Ndërsa mjekë të tjerë i rikujtuan kryeministrit Rama se në krye të herës ishte vetë ai që shprehej se “maskat nuk mbronin nga virusi Covid-19”. Madje kryeministri thoshte se “për ata që nuk ishin të sëmurë, nuk ishin duke trajtuar një të sëmurë apo nuk punonin në një mjedis me shumë njerëz, maskat ishin jo vetëm të padobishme, po edhe të dëmshme sepse ulnin vigjilencën në zbatimin e rregullave bazë.” Por masa të reja shtrënguese po ndërmerren në shumë vende të Europës dhe botës, teksa rastet e reja me koronavirus po shtohen dhe askush nuk shpjegon me siguri nëse është një valë e dytë apo çfarë po ndodh. Disa vende europiane madje kanë rivendosur karantinën 1 javore, një mujore, kanë mbyllur bar-restorantet etj. Në shumicën e rasteve gjatë këtyre muajve të kësaj pandemie, Shqipëria ka adaptuar protokollet e sigurisë anti-Covid-19 të Italisë. Madje pak muaj më parë, ambasadori italian do të takohej në Bosnje-Hercegovinë me Sekretaren e Përgjithshme të Këshillit Rajonal për t’i dorëzuar të përkthyer protokollin e përdorur nga Italia, e cila pati sukses në ecurinë dhe daljen nga kriza shëndetësore.
Por cilat janë masat e reja të ndërmarra nga Italia për përdorimin e maskës në publik? Prej datës 8 tetor Italia ka vendosur me detyrim mbajtjen e maskës si në mjedise të brendshme, ashtu edhe të jashtme kur je i rrethuar me njerëz dhe nuk arrin të respektosh distancën e kërkuar për t’u mbrojtur nga Covid-19. Masa e re për kontrollin ndaj koronavirusit në të gjithë Italinë përcaktohet nga dekreti Covid i miratuar nga Këshilli i Ministrave, i cili u mblodh në 7 tetor për të zgjatur gjendjen e jashtëzakonshme deri më 31 janar 2021. Maska është e detyrueshme në: Rrugë dhe sheshe jo të izoluara Zyrat publike dhe private Supermarket Transporti publik Tren, autobus dhe aeroplan Dyqanet Kisha Parukeri, berberanë, estetistë, studio tatuazhesh dhe piercing Qendra masazhesh dhe spa Muze dhe biblioteka Manifestime dhe ngjarje publike Kinema dhe teatër (edhe gjatë shfaqjes) Zona ku ka lodra për fëmijë Palestër (jo gjatë aktivitetit fizik) Strehimore Dhoma lojërash Klube, bare dhe restorante (përveç kur hani / pini në tryezën tuaj) Klube kulturore dhe rekreative Klasa për kurse dhe trajnime Ashensor Hotel Spital
Detyrimi i maskës, ku dhe kur: Rregullat nga 8 tetori Dekreti i ri i miratuar më 7 tetor 2020 nga qeveria italiane përcakton që në Itali duhet të mbahet një maskë në të gjitha mjediset e jashtme, “kur jeni afër njerëzve të tjerë me të cilët nuk bashkëjetoni” dhe me “përjashtim të rasteve kur garantohet izolimi i vazhdueshëm”. Maska kërkohet gjithashtu në të gjitha vendet e mbyllura, përveç shtëpive private. Dekreti i ri detyron të gjithë që duhet të kenë maskë kur dalin nga shtëpia. Nuk ka përjashtime rajonale, dhe Rajonet individuale mund të vendosin vetëm rregulla më kufizuese sesa ato të vendosura nga Qeveria, përveçse në rastet specifike të dakorduara më parë me Ministrinë e Shëndetësisë.
Kush duhet ta mbajë maskën brenda dhe jashtë? Të gjithë, përveç fëmijëve nën moshën 6 vjeç dhe personave me aftësi të kufizuara ose ata me sëmundje të papajtueshme me përdorimin e vazhdueshëm të maskës. Përjashtohen gjithashtu ata që bëjnë vrap dhe ata që praktikojnë aktivitet fizik ose sporte në natyrë. A duhet të mbaj maskë në shtëpi? Jo, në një familje dhe ambient privat mund ta hiqni maskën, por këshillohet të respektoni rregullat kundër infektimit (maskë dhe distancim) edhe në shtëpi nëse ka njerëz me të cilët nuk bashkëjetoni zakonisht ose që mund të rrezikohen.
A duhet të mbaj maskë nëse eci vetëm në rrugë? Po. Maska është e detyrueshme kur dilni nga shtëpia, edhe nëse kaloni në rrugë dhe nuk ka asnjë pranë nesh. Rasti i vetëm në të cilin mund të hiqet pa rrezikuar gjobitje është nëse ecni në vende shumë të izoluara (për shembull, pyje, male, fshat i hapur, plazhe të shkreta). Siç thuhet në tekstin e dekretit, kushti i izolimit duhet të garantohet në mënyrë të vazhdueshme, pra nëse e dimë që nuk do të ndeshemi me dikë gjatë rrugës.
A duhet të mbaj maskë në biçikletë apo motor? Jo, kur ngisni biçikletën ose motorin nuk ka asnjë detyrim të mbani një maskë. Sidoqoftë, nëse kaloni, ndaloni ose ngadalësoni në rrugë shumë të populluara, rekomandohet vënia e maskës. A duhet ta përdor në makinë? Jo, nëse jeni vetëm ose me të familjarët e ngushtë. Po, nëse njerëzit keni njerëz të tjerë në makinë që jetojnë me ju. A mund ta heq maskën në park? Ata që shkojnë për vrap dhe ushtrime fizike në park nuk kanë pse të mbajnë maskë. Sidoqoftë, janë të detyruar ta kenë maskën me vete për ta vendosur në çfarëdo rasti që mund të nevojitet. A është maska e detyrueshme në punë dhe në shkollë? Dekreti i fundit ligji i 7 tetorit parashikon gjithashtu mbajtjen e maskës në vendin e punës. Prandaj, në zyrë, maska është gjithmonë e detyrueshme, përveçse kur jeni në zyrë vetëm. Përsa i përket detyrimit për të mbajtur maskë në shkollë, kjo nuk parashikohet vetëm për kopshtet e fëmijëve nga 0 deri në 6 vjeç. Në shkollat e mesme dhe të larta, maska është e detyrueshme në hyrje dhe dalje, kur ngriheni nga banka dhe gjatë pushimeve. Në bankë kur je i ulur mund të hiqet në rastet kur respektohet distanca prej të paktën 1 metër.
Çfarë maske duhet mbajtur? Dekreti i qeverisë italiane gjithashtu thekson që qytetarët nuk do të jenë të detyruar të mbajnë maska kirurgjikale, por mund të përdorin maska të komunitetit, ose “maska njëpërdorimshme ose maska që mund të lahen, të prodhuara vetë, me materiale me shumë shtresa për të siguruar një barrierë të përshtatshme dhe, në të njëjtën kohë, që garantojnë rehati dhe frymëmarrje, formë dhe aderim adekuat që lejojnë të mbulohet pjesa nga mjekra deri mbi hundë”.(SI)