Kryeministri Edi Rama shpjegoi serish vendimin se përse nga kjo e enjte të gjithë qytetarët edhe në ambientet e jashtme duhet të mbajnë maskë.

“Të gjithë ne së bashku, do bëjmë diçka të madhe, të respektojmë rregullat e të vendosim maskat. këto të fundit nga dita e enjte do jenë të detyrueshme, në mënyrë që larg qoftë të mos detyrohemi të mbyllemi sërish. Është shumë e rëndësishme të sprapsim rrezikun e një infektimi masiv që mund të na çojë në mbyllje, sepse aty vërtet pastaj do të jetë shumë e rëndë për të gjithë”, tha Rama.

Kjo ishte përgjigja e kryeministrit për një ish emigrant i cili e pyeti për amnistinë fiskale.

“Jemi në proces, po punojmë dhe po punojmë ngushtësisht me ekspertizë ndërkombëtare, sepse unë jam i bindur që njerëzve si ti janë me mijëra, që kanë kursimet e tyre nga jeta në emigrim , e për me tepër atyre që kthehen në Shqipëri, po dhe nëse nuk kthehen duan që t’i formalizojnë paratë e tyre në Shqipëri, duhet tu japim mundësinë e amnistisë fiskale”, tha Rama.

Këto komente kryeministri i bëri në rubrikën e tij të përjavshme Përgjigja Ime.