Maskat ose barrierat e mbrojtjes prej tekstili do të jenë të detyrueshme të mbahen jo vetëm në ambientet e mbyllura nga çdo qytetar por edhe në mjediset publike. Duke nisur nga dita e enjte, qytetarëve do t’ju duhet të pajisen me maska edhe në ambientet e jashtme dhe në të kundërtën do të gjobiten.
Agjencia Telegrafike Shqiptare intervistoi qytetarë të ndryshëm, të cilët u shprehën pro vendimit të mbajtjes së maskës. Sipas tyre, koha dhe shifrat në rritje kanë treguar që duhet një kujdes i shtuar nga ana e të gjithëve. “Shumë në rregull jemi për maskën dhe mbron përderisa e gjithë bota e përdor, në rregull janë edhe këto. Njeriu teshtin dhe i shkon pështyma tek tjetri. Unë e kam mbajtur maskën që në fillim”, tha një qytetare për ATSH-në.
“Të them të drejtën edhe unë deri më sot kam neglizhuar por tani e shoh që sa më shumë kalon koha, aq më shumë po shtohen rastet. Koha ka treguar që duhet mbajtur edhe në ambientet e jashtme’’, u shpreh një qytetarë. “Jam dakord sepse jemi në gjendje të keqe dhe maska duhet përdorur sa më shumë të jetë e mundur. Maska mbron 50% por jo aq shumë sa mendojmë ne që mbron”, tha më tej, një tjetër qytetare për ATSH-në.
Ka nga ata qytetarë që maskën që nuk e heqin në asnjë moment që ndodhen jashtë shtëpisë së tyre. “Maskat duhet mbajtur sepse duhet të ruhemi, të ruajmë edhe pjesëtarët e familjes. Vetëm në shtëpi e heq maskën por e mbaj tërë kohën kur jam në ambient jashtë”. “Ne për veten tonë e kemi, jo për Ramën dhe për tjetrin. Ne na duket e drejtë, të mbrojmë veten të mbrojmë të tjerët”, theksoi një tjetër qytetarë për ATSH-në. Një tjetër qytetarë tha se, “mendoj se duhet ta mbajmë maskën sepse mbrojmë edhe të tjerët edhe veten”.