Brenda Vitit të Ri mbi 400 familje do të festojnë nën strehën e re, më të bukur e më të fortë se ajo që humbën nga fatkeqësia e rëndë natyrore e 26 nëntorit. Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama gjatë dorëzimit të çelësave të dy shtëpive në Baldushk për familjet e prekura nga tërmeti.

“Me Lalin dhe ministrin e Rindërtimit në shtëpitë që po hapin dyert për familjet e mbetura pa strehë natën tragjike të 26 nëntorit, në fshatrat e Bashkisë Tiranë, ku aktualisht po rindërtohen shtëpitë e mbi 400 familjeve, që ta festojnë Vitin e Ri nën strehën e re, më të bukur, më të madhe, më të fortë se ajo që humbën nga fatkeqësia e rëndë natyrore”, – tha Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “vërtetë koha për ta ndërtuar shtëpinë ishte e shkurtër, por deri tek momenti i fillimit të punës është një punë e madhe përpara duhet të bësh inventarizimin, verifikimet e inventarit, rilevimin e terrenit për projektuesin, pastaj projektimin, financimin, garat, kontratat dhe pastaj duhet bërë puna. Për shtëpitë individuale është më e thjeshtë ndërsa për pallatet më e ndërlikuar. Janë projekte më masive”.

“Për ne është shumë e rëndësishme që shtëpitë në fshat t’i mbyllim sa më shpejt brenda Vitit të Ri të hyjnë në shtëpi, pasi janë nëpër tenda, në komshinj, dhoma të përkohshme. Duhet durim”, – tha Rama. Kryeministri Rama theksoi se “jemi duke u marrë me furnizimin me ujë. Kemi dhjetëfishuar numrin e banorëve që marrin furnizimin 24 orë me ujë të pijshëm. Ka qenë 100 mijë e ka shkuar mbi 1 milion. Tirana ka ujë 24 orë në një pjesë të konsiderueshme, por ka shumë më tepër ujë në të gjithë pjesën tjetër nga sa kishte më parë”. Ministri Ahmetaj tha se “ndërkohë që bashkia e Tiranës vijon vlerësimet janë rreth 2 mijë njësi individuale të tjera që përfshihen në Rindërtim pas vlerësimit të fundit që kaluan njësitë administrative dhe këshilli bashkiak”.

“Janë rreth 5500 shtëpi DS4 dhe DS5 që prishen dhe rindërtohen”, shtoi Ahmetaj. Ministri Ahmetaj u shpreh se sot është hapur faza e dytë e prokurimit të pallateve. Në Durrës ka filluar rindërtimi i pallateve që do ndërtohen aty ku kanë qenë. “Për 15 ditë kemi themele në Durrës”, u shpreh ai. Kryebashkiaku Veliaj theksoi se kemi bërë disa vlerësime për ata që janë në emigracion, apo që i kapi karantina jashtë dhe nuk kanë bërë dokumentet në kohë”. Sipas tij, çdo shtëpi merr një akt, pasi janë mbaruar punimet. “Ne japim një dokument dhe me këtë dokument nxjerrim edhe hipotekën”, tha Veliaj.