Lojtar dhe trajner i Milanit, legjendë e futbollit botëror. Clarence Seedorf tani jeton në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe në një intervistë të gjatë, dhënë për “Goal”, flet për gjithçka. Fillon menjëherë nga Milani, i cili në janar 2014 i besoi stolin, por u shkarkua në fund të sezonit, pas vetëm gjashtë muajsh: Unë u ndjeva i gatshëm për atë detyrë. Edhe rezultatet treguan se isha gati. Për fat të keq, klubi në atë kohë ishte mjaft i paqëndrueshëm, sepse pronarët donin ta shisnin, ndaj u gjenda në një mjedis të trazuar. Unë kisha pikët mesatare më të larta në krahasim me trajnerët e fundit të klubit. Milani dhe mënyra se si kemi luajtur reflektonte ADN-në e klubit. Unë e mora ekipin pothuajse në zonën e rënies dhe e udhëhoqa për një vend në Evropë. Si trajner me Milanin bëmë një punë të jashtëzakonshme në një periudhë krize.

Holandezi më pas përpiqet të shpjegojë arsyet e vërteta të prishjes me Milanin: Unë kisha edhe dy vite kontratë, por klubi ishte në një situatë vërtet të vështirë. Pas meje, ata ndryshuan tre trajnerë në dy vite. Pra, shpenzuan 100 milionë euro, megjithatë asnjë trajner nuk bëri më mirë. Së pari ishte Allegri, i cili fitoi te Juventusi gjithçka, por me Milanin ishte në zonën e rënies. Unë nuk mund t’i them jo Milanit, do të jetë gjithmonë klubi im, si Real Madrid, Botafogo, Sampdoria, Ajax, Inter dhe të gjitha skuadrat në të cilat kam luajtur. Më vjen keq për tifozët që kanë vuajtur shumë në vitet e fundit, shpresoj që ata më në fund të mund të shijojnë një sezon pozitiv te Milani.